Transmetuar më 24-02-2020, 21:34

Presidenti Ilir Meta, i pyetur nga gazetari Ilir Babaramo, në Raport Tv, lidhur me protestën e thirrur më 2 mars, se përse kjo thirrje, pasi në dijeninë etij për herë të parë një President bën organizon një protestë, u shpreh se "nuk ka nevojë për një pyetje të tillë pavarësisht se juve ju takon, për arsye se të gjithë shqiptarët besoj edhe nën dritën e fakteve më të fundit e kanë kuptuar që në këtë vend kemi ende popullin shqiptar, aq sa ka mbetur edhe pse i tretur nga fenomeni i shpopullimit".

"Tashmë kemi dhe disa puçistë, të cilët kanë dalë zbuluar, të cilët kanë realizuar një grusht shteti, që duan të mbyllin aktin final të rrëmbimit mafioz në kundërshtim me Kushtetutën pikërisht dhe Gjykatën Kushtetuese, në mënyrë që anëtarët e ardhshëm të kësaj Gjykate të jenë të standardit Dvorani, të Artave, të Etildave dhe të gjithë atyre që për besnikëri të verbër apo për pengmarrje nga organizata që po drejton sot Shqipërinë janë gati të shkelin Kushtetutën me të dyja këmbët, të shkelin ligjin dhe çdo gjë. Të falsifikojnë dokumente shtetërore në mënyrë të strukturuar, kriminale, sikurse u demonstrua qartë edhe me provat e fundit,"-  shtoi Meta.

Jo vetëm nga letërkëmbimi absurd, qesharak dhe mashtrues i kryetarit të KED-së, për fat të keq dhe i Kryetarit të Kuvendit me datën 8 nëntor. Por ajo që ishte edhe më e rëndë pas fakteve tronditëse të reja të zbuluara të funksionimit të kupolës së Ministrisë së Drejtësisë, ministre, sekretar i përgjithshëm, drejtoreshë e Qendrës së Botimit të Fletores Zyrtare….

 Gazetari: Përse nguteni atëhere drejt datës 2 mars, për të protestuar në rrugë para Kryeministrisë kur ambasadorët më të rëndësishëm në Tiranë thonë që duhet të prisni një ekspertizë të Komisionit të Venecias?

Presidenti Meta: Ambasadorët këtë gjë e thanë përpara dhe për mendimin tim, ata, bënë veprim shumë të gabuar.

Sepse ata dolën jashtë statusit të tyre diplomatik në Republikën e Shqipërisë. Mendo sikur ambasadorja e Shqipërisë në Romë të vinte në diskutim dekretin e Presidentit të Italisë! Do ta kishin paketuar, ambalazhuar, siç paketohen ato plaçkat që sillen me DHL, dhe për 24 orë e kishe në Rinas. Megjithatë, ata e bënë këtë gjë, edhe pse unë, u thashë që kjo nuk është kërkesë për Venecian se, është qesharake.

Sepse Venecia e ka shkruar që Gjykata Kushtetuese ndërtohet në mënyrë të balancuar nga Presidenti, si kryeri i Shtetit dhe është i pari Presidenti, nga Parlamenti dhe ka parasysh parlament demokratik, jo gjysmë-Parlament si ky i joni që është në gjendje anti-kushtetuese prej një viti me 122 deputet me letra nga 140 dhe nga Gjykata e Lartë.

Vetë Venecia ka thënë që edhe radha do përcaktohet në Kushtetutë dhe do përcaktohet edhe në ligj, një për një, për çdo emër. Pse? Sepse e ka thënë Venecia vetë, na e ka dërguar me letra që atëherë kur e kemi bërë. Sepse mund të ndodhi që Presidenti dhe shumica në Parlament të jenë të një linje politike.

Gazetari: Ndërkohë socialistë thanë që, ju nuk e respektuat afatin 1-mujor, për të përzgjedhur emrin e dytë…

Presidenti Meta: Se çfarë thonë socialistët…. specialistët, jo socialistët. Socialistët janë seriozë, këta janë rilindas.Por, çfarë thotë Venecia, edhe radha kushtetuese është e rëndësishme duhet të jetë e balancuar.

Mund të ndodhë që Presidenti dhe shumica në Parlament të jenë të një linje politike dhe t’i plotësojnë të 6 vendet me njëherë dhe bëjnë kuorumin, rimarrin çdo gjë, mbarojnë punë. Në Gjykatën Kushtetuese nuk ke as mendim oponent, përbën një rrezik kapja politike e Gjykatës Kushtetuese. Kjo ka qenë dhe është shumë e qartë, kjo është dhe arsyeja pse ata nuk e pritën Venecian.

Ata, e kërkuan gjoja Venecian, për të relativizuar përgjegjësitë penale të Dvoranit se ai, nuk është vetëm ai, ka bërë bashkëpunëtorë të shumtë. Ja dolën disa bashkëpunëtorë, por do dalin dhe të tjerë. Kam dyshime, që për fat të keq do dalin dhe bashkëpunëtorë ndërkombëtarë. Më këtë akt dhe tentativë të pastër të grushtit të shtetit.

Unë kam respektuar Venecian, e kanë kërkuar ata, se unë nuk mund të kërkojë Venecian e të vë në diskutim diçka që e kam bërë në përputhje më Kushtetutën e Republikës se Shqipërisë.

Por, meqenëse e kërkuan ata, shumë mirë bënë që e kërkuan ata, kërkova edhe unë, për aktet që ka bërë Kuvendi në mënyrë që ata, të shikojnë se çfarë ka ndodhur realisht dhe jam i sigurt që kur unë të shkoj në seancën plenare në Venecia, që po më çon Rilindja, ata do ta kuptojnë edhe më qartë se çfarë ka ndodhur këtu.

Gazetari: Ju thoni që Kuvendi bëri një akt të njëanshëm

Presidenti Meta: Cilin akt të njëanshëm?

Gazetari: Që nuk respektoi, afatin e ardhjes së Komisionit të Venecias për të dhënë gjykimin e tij.

Presidenti Meta: Kuvendi i thirri dhe për çështjen e ligjit dhe pyetjet kryesore ishin për këtë gjë.

Gazetari: Keni dijeni si ka reaguar Venecia lidhur me këtë fakt të kryer?

Presidenti Meta: Unë nuk flas as në emër të Venecias, as të ndërkombëtareve dhe as të ambasadave. Unë flas në emër të Kushtetutës dhe të popullit shqiptar. Kushtetutën këta e kanë bërë leckë, sepse janë njerëz pa dinjitet, janë njerëz pa atdhe, janë një bandë falsifikatorësh siç e shikojmë shumë qartë në kupolën më të lartë të shtetit.

Institucionet këtu kanë rënë! Pse, kanë rënë institucionet? Sepse Presidenti u kërkon në mënyrë të përsëritur me shkresa zyrtare të dokumentuara, të protokolluara dhe vetë nga Kuvendi i Shqipërisë, bashkëpunim me Kuvendin. I kërkon KED-it bashkëpunim, i kërkon Dvoranit bashkëpunim, respekto Kushtetutën, respekto këtë, respekto atë. Gjëja më qesharakë është sesi mund të shpiket afat nga Dvorani.

Afatin e ka të qartë Kushtetuta, për çdo vakancë janë 30 ditë dhe Presidenti për vakancën e parë veproi menjëherë, dhe i bëri thirrje Kuvendit dhe ia çoi edhe dekretin e parë dhe i tha, unë veprova, tani vepro dhe ti për të parin, që unë të veproj për të dytin timin, apo të tretin në radhë siç e vendos Kushtetuta, siç me të drejtë i ka renditur edhe KED-ja.

Sepse KED-ja e ka bërë renditjen sipas Kushtetutës, President, Parlament. President, Parlament.

Nuk e ka bërë President, President, Parlament, Parlament.

U gajasën të gjithë kur kishin thënë; po mirë, ti pse ia dërgove Presidentit këto të dyja menjëherë dhe nuk ja dërgove të paktën të katërta në një ditë siç edhe u miratuan. Po nuk pata kohë kishte thënë, 6 ditë se kisha disa punë të tjera administrative, po fotokopjoja. Po mirë, nuk pate kohë, po pse nuk ja dërgove Parlamentit dy të parat, meqë ti lidhjen e ke më direkte me Parlamentin dhe zotin Ruçi, por ia dërgove Presidentit.

Sepse kur Presidenti të dërgon ty një shkresë si Ardian Dvorani, këtë ia dërgon dhe Kryetarit të Kuvendit edhe Avokatit të Popullit, që është institucioni që me Kushtetutë monitoron gjithë veprimtarinë e KED-së. Por, këtë ja dërgon të gjitha ambasadave të BE-së, që paguajnë këtu 200 milionë euro, ia dërgon dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ndërkohë dhe të lutet në mënyrë të vazhdueshme, të lutem të bashkëpunojmë, që të mos të kemi përplasje midis institucioneve, sepse edhe emrat janë të parazgjedhur në mënyrë të tillë që të kishte përplasje.

Sepse ishte një gjë mjaft qesharake, ishin 6 emra, ndërkohë që sipas Kushtetutës dhe frymës së ligjit duhet të ishin minimumi 12 emra, pra nga 3 emra të ndryshëm për çdo vend.

Ndërkohë ti krijon këtë situatë kaq të turpshme dhe skandaloze, sepse mendon që anëtari i Gjykatës Kushtetuese është një portokalle aty të bahçja e Presidencës, që ti mund të dalësh nga muri ta vjedhësh dhe të ikësh me vrap. Kjo është historia për ta kuptuar më thjeshtë.

Gazetari: Çfarë kanë bërë?

Presidenti Meta: Gjithë Shqipëria e ka marr vesh se çfarë kanë bërë, ata kanë falsifikuar.

Gazetari: Ata pretendojnë se kanë zbatuar ligjin?

Presidenti Meta: Zoti Babaramo, Kushtetuta është shumë e qartë, ligji është shumë i qartë dhe aq më tepër drejtuesit e Ministrisë së Drejtësisë janë garantë, jo vetëm të veprimeve të tyre si institucion në respekt të Kushtetutës dhe të ligjit, por ata janë garantë dhe e kanë për detyrë dhe për institucionet e tjera, edhe për Ministrinë e Bujqësisë, edhe për një projektligj, që çon kjo ministri në qeveri apo në parlament apo një vendim, kalon tek Ministria e Drejtësisë për të parë a është në përputhje me Kushtetutën dhe a është në përputhje me ligjin.

Çfarë kanë bërë këta? Këto janë tashmë shumë të qarta, sikurse sot kemi bërë edhe depozitimin e kallëzimit penal për këtë grup strukturor kriminal të Ministrinë e Drejtësisë në Spak.

Këta kanë botuar në mënyrë të paligjshme një vendim të një institucioni tjetër të pavarur, që nuk ka lidhje fare me Ministrinë e Drejtësisë, siç është Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, që e kishte botuar vendimin atje ku ja ka caktuar ligji këtë vendim, në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë në seksionin e dedikuar posaçërisht për KED-në dhe ky ishte një vendim siç ishin dhe tre të tjerat për katër vakancat e Presidentit dhe të Kuvendit.

Pra, në këtë mënyrë mafioze ata duke bërë një botim të karakterit propagandistik pa u kërkuar sipas ligjit zyrtarisht askush, sepse jo vetëm që ligji i ka përjashtuar botimet e KED-së në Fletoren Zyrtare, – janë të gjitha institucione të parashikuara me ligj se kush ka të drejtë të botojë, – por dhe mënyra se si botohet është e përcaktuar, shprehimisht.

Ata nuk kanë pasuar asnjë kërkesë zyrtare as nga vetë Dvorani, i cili përsëri do të mbante një përgjegjësi të rëndë penale, përveç veprave të tjera që ka konsumuar, as nga Kuvendi nuk është kërkuar. Jo vetëm kaq, por kur e kanë çuar për botim pastaj me një numër tjetër protokolli të mëpasshëm, që provohet nga vetë dokumentet zyrtare kanë marrë një letër nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit thjesht për ta përdorur si alibi në rast se kjo do të zbulohej më pas, edhe siç është zbuluar prej kohësh, por ne menduam ta denoncojmë tani.

Për arsye sepse ata në mënyrën më të papërgjegjshme thirrën kot mëkot Komisionin e Venecias.

Kushtetutën tonë e ka shkruar vetë Komisioni i Venecias.

Është shkruar sipas rekomandimeve të qarta dhe të pastra dhe të painterpretueshme gërmë për gërmë të Komisionit të Venecias.

Ata një ditë përpara se Komisioni të mbërrinte natën e bën fakt të kryer miratimin e ligjit të betimit të Lana, në mënyrë që me një ligj anti-kushtetues, kur Kushtetuta e thotë shumë qartë që ky proces betim bëhet vetëm te Presidenti i Republikës, të bëjnë fakt të kryer që të çojnë në Gjykatë Kushtetuese juristë të standardit të Dvoranit, të Artave apo të Etildave në mënyrë që të uzurponin dhe institucionin e fundit që e lanë të paralizuar për gati dy-tre vjet, por edhe njëkohësisht dhe për ta kapur atë një herë e përgjithmonë dhe për të ligjëruar sipas tyre gjithë veprimtaritë e tyre anti-kushtetuese të deritanishme.

Por edhe tashmë çka përbën një ekzekutim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të shtetit të së drejtës në Shqipëri, të llogaridhënies në Shqipëri që dhe kështu siç është rrëzuar totalisht dhe të shuajnë çdo mundësi për ndryshime demokratike në vendin tonë dhe mbi të gjitha të asgjësojnë garantimin e të drejtave të qytetarëve shqiptarë që janë të rëndësishme.

Ju thatë çfarë kanë bërë? Kjo që kanë bërë ata është njësoj – për ta kuptuar ju – që unë të shkoj dhe të regjistrojë tek Hipoteka pronën tënde, ta regjistroj si pronën time.

Meqenëse kam këtë mundësi, kam një institucion në varësi edhe mund ta bëj këtë gjë, kjo mua më duket se është shumë e qartë. Pasojat janë shumë të rënda.

Së pari, kanë shkatërruar besueshmërinë te reforma në drejtësi, sepse të përpiqesh të vjedhësh Gjykatën Kushtetuese në mënyrë mafioze, në mënyrë anti-kushtetuese, në mënyrë të paligjshme. T’i rrëmbesh kompetencën kushtetuese një pushteti tjetër, Kryetarit të Shtetit, ta kthesh Gjykatën Kushtetuese nga një garante e mbrojtjes së Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë në një celulë mafioze, që do të veprojë si organizata rilindëse e KQZ-së, që organizon zgjedhje njëpalëshe.

Kjo do të thotë që unë që kam dikë në varësi, se ajo ka në varësi dhe hipotekat, ta marr pronën tënde dhe ta regjistrojë në emrin e vet. Si mendon ti, duhet të gjithë shqiptarët ta pësojnë këtë gjë? Se shumë prej tyre e kanë pësuar që ta kuptojmë këtë gjë, përveç cenimit të shumë e shumë të drejtave të tjera.

Kjo do të thotë që ndodh një aksident, ndodh një krim dhe ti të fshehësh gjurmët e krimit, apo vendos gjurmët e gishtave të tu, që i pafajshëm, aty ku ka ndodhur krimi që e ka bërë dikush tjetër dhe të shkosh të dënohesh ti dhe të shpëtojnë ata të tjerët.

Kjo do të thotë rrëzim i shtetit të së drejtës dhe është bërë në mënyrë të ndërgjegjshme, sepse kanë qenë të paralajmëruar në mënyrë të vazhdueshme dhe u është kërkuar bashkëpunim nga Presidenti i Republikës, Kuvendit të Shqipërisë, Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, dhe të gjithë institucioneve për të mos ardhur te kjo çmenduri që “është perla më e madhe e zbatimit të reformës në drejtësi”./NOA.al