Transmetuar më 24-02-2020, 17:16

Zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi, i është përgjigjur Ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila tha sot, pas kallëzimit të Kreut të Shtetit në SPAK, se reagimi i saj do të jetë institucional.

Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, Blushi shkruan: "Edhe falsifikatore edhe krenare! Ti qofsh moj çupë!"

Ministrja Etilda Gjonaj reagoi më herët në lidhje me kallëzimin penal që Presidenti Ilir Meta bëri ndaj saj dhe dy vartësve të saj në SPAK. Gjonaj përdori ironinë duke u shprehur se “Presidenti gjeti kohën të paraqitet personalisht në zyrën e sekretarisë së SPAK”.

Megjithatë, Ministrja shprehet se Presidentit do t`i përgjigjet institucionalisht, ndërsa pohon se është gati t`i përgjigjet edhe SPAK-ut.

Kujtojmë se mesditën e sotme Presidenti Meta bëri kallëzim penal ndaj Ministres Etilda Gjonaj dhe dy vartësve të saj, të cilët i akuzon për shkelje të ligjit dhe Kushtetutës, pasi botuan në Fletoren Zyrtare një vendim për emërimin e ArtaVorpsit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

Presidenti e quan këtë një “grusht shteti”, ndërsa ka paralajmëruar mbajtjen e një tubimi në 2 mars, ku sipas tij në atë ditë do të firmoset dekreti i parë për çmontimin e kësaj tentative./b.l/noa.al/

Meta kallëzoi 3 zyrtarët, Gjonaj: Gati t’i përgjigjem jo vetëm SPAK, por dhe atij vetë publikisht

Kallëzimi i Presidentit në SPAK, zbardhen emrat e të akuzuarve dhe shkeljet e tyre ligjore