Transmetuar më 24-02-2020, 13:27

Presidenti Ilir Meta e argumentoi vendimin për ta kallëzuar personalisht në SPAK ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj, me fjalët se mbrojtja e Kushtetutës dhe integriteti i Gjykatës Kushtetuese është detyrë mbi detyrat për çdo shqiptar të ndershëm dhe patriot dhe kryedetyra e Presidentit.

Ai deklaroi në dalje të Prokurorisë së Posaçme antikorrupsion se nuk ka ndodhur akt më i rëndë se sa ky akt mafioz ku sipas tij, rezulton e përfshirë celula në krye të Ministrisë së Drejtësisë.

“Me falsifikime të mirëprovuara kanë tentuar grusht shteti dhe të rrëmbejnë kompetencën që Kushtetuta ja jep vetëm Presidentit, me synim krijimin e një Gjykate Kushtetuese si polici antikushtetuese për të dhunuar të drejtat e qytetarëve shqiptarë në të ardhmen. Këto fakte ishte e nevojshme që ti sillte vetë Presidenti i Republikës. Kallëzimet penale për disa vepra tashmë shumë të qarta do kemi komunikim më pas me përfaqësues të Presidencës”, u shpreh Meta.

Ai bëri me dije se ka kallëzuar ministren Gjonaj dhe dy zyrtarë të tjerë të ministrisë së Drejtësisë.

Në vijim tha se po vlerësohen prova të tjera që disponojnë dhe persona të tjerë të përfshirë për të çuar deri në fund tentativën e shpartallimit të grushtit të shtetit dhe për rrëmbimin me grusht shtetit të Kushtetutës.

“Në 2 mars të gjithë shqiptarët në bulevard, në Tiranë, për të bërë të qartë se të gjithë janë me Kushtetuën dhe jo me Presidentin dhe se nuk do lejojnë askënd të dhunojë Kushtetutën dhe rreziku më i madh qështë murtaja që quhet Rilindje”, deklaroi Presidenti.

I pyetur se pse Presidenti ndërmerr një akt të paprecedentë duke nxjerrë popullin në protestë, Meta pyeti nëse ka ndonjë Republikë në Europë apo në botë, apo të një vendi që synon të çelë negociatat, ku në mënyrë mafioze i rrëmbehet kompetenca kushtetuese Presidentit.

Pyetjes se ku synon të arrijë me 2 marsin, ai iu përgjigj se “Unë kam dalë në sheshin e betejës së vërtetë për çdo qytetar shqiptar që synon të jetojë në liri dhe demokraci, nga Presidenti deri te qytetari më i thjeshtë. Nuk ka ndodhur në asnjë vend të Europës që të shkel Kushtetuëen në këtë mënyrë, vetëm me qëllimin për të kapur Gjykatën Kushtetuese”.

Meta tha se nuk ka asnjë vend të Europës që ka tre vjet pa Gjykatë Kushtetuese me qëllimin e vetëm për të kapur Kushtetutën dhe se nuk ka ndodhur që një vend të mbetet pa asnjë minutë pa Gjykatë të Lartë, nuk ka ndodhur kurrë që të zgjidhet Prokurori i Përgjithshëm me 69 vota ndërkohë që duhen 84 vota, pra nuk ka ndodhur asgjëkundi të ndodhin zgjedhje lokale në kundërshtim me Kushtetutën, që i neveriti Autoriteti i Kongreseve Vendore që i abandoni.

Kreu i shtetit deklaroi se puna vazhdon, provat vazhdojnë, implikimi vazhdon dhe se të gjithë i pret në 2 mars kundër “murtajës që do të zhbëjë shtetin e së drejtës në Shqipëri dhe do të ekzekutojë përfundimisht Kushtetutën e gjithë Shqiptarëve”./a.y/noa.al