Transmetuar më 24-02-2020, 12:18

Dy ditë pasi paralajmëroi kallëzimin penal ndaj ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, Presidenti Ilir Meta depoziton kallëzim penal në SPAK në orën 13.00.

Lajmin e bën me dije zëdhënësi i kreut të shtetit, Tedi Blushi, i cili thotë se Presidenti i Republikës Ilir Meta do të depozitojë sot personalisht në ora 13:00, në Prokurorinë e Posaçme SPAK, kallëzimin penal për Ministren në detyrë të Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Po ashtu ai bën me dije se kallëzimi do të bëhet edhe për funksionarë të tjerë të lartë të përfshirë në veprimtari të rëndë kriminale, në funksion të grushtit të shtetit.

“Për Kushtetutën, për Shqipërinë, për kombin”, thotë Blushi.

Ditën e premte Presidenti e akuzoi Gjonaj për ushtrim të ndikimit të paligjshëm dhe falsifikimit të dokumenteve të kryera nga ministria e Drejtësisë, nëpërmjet botimit të paligjshëm dhe kriminal të vendimit të një organi të pavarur si Këshilli i Emërimeve në Drejtësi në Fletoren Zyrtare.

“Në këtë tentativë flagrante për grusht shteti, provat publike që nga dita e djeshme, që do i dorëzohen prokurorisë së posaçme SPAK, rezulton të jetë përfshirë ministrja Gjonaj por edhe funksionarë të lartë të këtij institucioni, për llogari të kapjes së Gjykatës Kushtetuese duke përvetësuar në mënyrë mafioze një kompetencë që Kushtetuta ia jep Presidentin. Ministrja duke urdhëruar sekretarin e përgjithshëm duke dërguar për botim një vendim të KED, ka shkelur ligjin për organizmin dhe funksionimin e qendrës së Fletores Zyrtare”, u shpreh Meta.

Ai tha se sipas Kushtetutës dhe ligjeve, vendimet e KED, nuk botohen në Fletoren Zyrtare dhe askund tjetër por në faqen e Gjykatës së Lartë, në pjesën dedikuar KED.

Ndërkohë, shtoi ai, ministrja e Drejtësisë nuk ka asnjë të drejtë që te çojë për botim në Fletoren Zyrtare akte e KED apo të ndërhyjë në procesin e emërimit dhe zgjedhjet e gjyqtarëve të Kushtetueses, duke arritur në veprime flagrante, si urdhërimi i botimit.

“Duke qenë se ministrja Gjonaj tashmë e ka humbur tërësisht e Presidentit të shpehur me dekret për emërimin e saj, do të mirëprisja dorëheqjen e saj dhe përballjen me drejtësinë si një ish-ministre, duke shmangur precedentin që Presidenti dhe kryetari i shtetit të padisë një ministre që ushtron këtë detyrë”, deklaroi kreu i shtetit. /a.y/noa.al Meta paralajmëron ministren Gjonaj: Të hënën kallëzim në SPAK, pres dorëheqjen

Meta paralajmëroi kallëzim ndaj Gjonaj, PD: Të mos fshihet pas sms-ve të shefit

Meta paralajmëroi kallëzim në SPAK, Gjonaj: Marrëzi e radhës! Dorëheqja? Ka në dorë vetëm të tijën