Transmetuar më 27-01-2020, 16:05

Papa Françesku shkroi në Twitter me rastin e 75-vjetorit të çlirimit të kampit nazist të vdekjes në Aushvic se ky ishte një moment për t’u ndalur dhe për të reflektuar.

“Nëse humbasim kujtesën, shkatërrojmë të ardhmen tonë. Përvjetori i Holokaustit, mizoria e papërshkrueshme që njerëzimi mësoi 75 vite më parë, të shërbejë si thirrje për pauzë, për të ndaluar dhe kujtuar. Duhet ta bëjmë këtë, të mos bëhemi indiferentë”, shkruhej në Twitter.

Postimi në adresën zyrtare të Papa Françeskut u bë në disa gjuhë, përfshirë polonishten.

Që nga çlirimi i tij 75 vjet më parë, më 27 janar të vitit 1945, Kampi i Aushvic është bërë një nga simbolet e mizorive të Holokaustit. 1,100,000 burra, gra dhe fëmijë janë vrarë në kampin e vdekjes naziste.

Të burgosurit e dërguar në kamp përfshinin hebrenjtë, ciganët, homoseksualët, Dëshmitarët e Jehovait, Polakët dhe Sovjetikët.

Aushvic ishte kampi më i madh i përqendrimit gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe 80% e atyre që mbërritën atje u vranë menjëherë./b.l/noa.al/