Transmetuar më 26-01-2020, 11:28

Në dy mujorin e tërmetit të 26 nëntorit, nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama u prezantua një platformë online për qytetarët e prekur që do që përfitojnë nga Programi i Rindërtimit.

Kreu i qeverisë deklaroi se kur kërkohet durim nga qytetarët nuk po rrihet duarkryq, por po realizohen procese shumë të ndërlikuara.

“Parë nga afër kjo është një histori që ka shumë kapituj në mes që nga kapitulli ligjor, ku na është dashur të shkruajmë në një kohë rekord një sërë aktesh që do të thotë ligji bazë, deri tek një numër i konsiderueshëm aktesh nën ligjore në funksion të gjithë organizimit të procesit. Procesi ka një sërë elementësh që duhen siguruar dhe harmonizuar, për të arritur tek momenti i dorëzimit të çelësave të shtëpive, për gjithë ata që kanë humbur strehën. Programi adreson edhe ata që janë dëmtuar në një shkallë të caktuar nga tërmeti, shkalla e dëmtimit është përcaktuar në raport me ekspertët ndërkombëtar dhe do të marrin një masë të caktuar dëmshpërblimi. Ne nuk duam që të lëmë vetëm askënd që është prekur nga tërmeti”, u shpreh Rama.

Ai tha se fillimisht duhet bërë studim gjeologjik i terrenit, për tu bërë më tej masterplani dhe në vijim projekt-zbatimi.

Sipas tij, në 60 ditë është bërë një volum pune, të cilin e cilësoi shembullor në raport me eksperienca të ngjashme.

Kreu i qeverisë, tha se do të ndërtohen shtëpi që do të bëjnë diferencë me të shkuarën, ku parametrat e ndërtimit të jenë të padiskutueshëm dhe me veti antisizmike dhe të garantojnë cilësi jete.

Po ashtu kërkoi që të mos i bëhet nder askujt në mënyrë që të mos i merret haku askujt.

Nga ana e tij ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj deklaroi se nga e mërkura do duhet të ketë në çdo bashki nga një zyrë, ku do të merren qytetarët për të bërë aplikimin online.

“Platforma bazohet në vetë deklarimin e qytetarëve. Do të deklarojnë dëmet. Të gjitha Bashkitë do të dërgojnë tre persona që do trajnohen nesër në orën 11:00, procesin e aplikimit. Që të kenë të saktë zonën, sipërfaqen e banesës. Kryetari i njësisë administrative do e marrë me shkrim, njësia administrative e hedh online. Aty ku qytetari ju jep të drejtën të mblidhi dokumentacionin vetë, atëherë do ia merrni ju. Është detyra juaj. Kemi bërë një manual të detajuar. Fillon vlerësimi dhe apelimi, brenda fazës së dytë. 30 ditë duhet të ketë mbaruar aplikimi me dosjet e shoqëruara. S’ka të bëjë të ketë akt pronësie. Çdo njëri nga ne ka një dokument të tillë në lidhje me pronësinë, përveç atyre që nuk kanë filluar procesin e legalizimit dhe s’kanë asnjë dokument”, deklaroi Ahmetaj.

Platforma online, është një Regjistër Elektronik i familjeve të prekura në çdo njësi vendore dhe çdo qytetar ndjek ecurinë e aplikimit të vet nëpërmjet smartphone. /a.y/noa.al