Transmetuar më 24-01-2020, 13:07

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, foli për integrimin e Shqipërisë në BE dhe fenomenin shqetësues të emigracionit, në Këshillin Kombëtar të Integrimit Evropian. Duke u ndalur te procesi i integrimit, Balla tha se beson që pas datës 31 janar të ketë një konsensus të plotë mes 27 vendeve anëtare të BE për hapjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

"Do doja të ndaja me ju faktin se metodologjia e vlerësimit nga partnerët tanë mund të ndryshojë, më 29 janar KE do të publikojë metodologjinë e re të vlerësimit dhe të monitorimit të zbatimit të detyrave të shtëpisë nga vendet kandidate, në kuadër të vlerësimit qoftë të ecurisë së procesit të para hapjes së negociatave, qoftë me procesin tjetër që pason, dhe ku unë jam besimplotë se gjatë këtij viti shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të nisin bisedimet", u shpreh Balla.

Më tej ai theksoi se në lidhje me publikimin e metodologjisë së re që pritet të publikohet në fillim të shkurtit, vetë Komisioni Europian rikonfirmoi se “paralelisht me dakordësimin e vendeve anëtare për metodologjinë e re të ndryshuar, KE i qëndron rekomandimit se bisedimet për anëtarësim duhen çelur sa më parë me Shqipërinë edhe me Maqedoninë e Veriut”.

"Rekomandimi për hapjen e bisedimeve për anëtarësim mbetet një konstante e pandryshuar për Komisionin Europian. Besoj se brenda 27 vendeve të BE-së pas 31 janarit, të ketë një konsensus të plotë lidhur me bisedimet për anëtarësim", tha ai.

Ndërsa sa i përket emigracionit, Balla tha se ka një rënie të numrit të atyre që kërkojnë azil në vendet e BE, ndërsa shtoi se emigracioni mbetet një fenomen shqetësues, ndaj dhe sipas tij, “qeveria dhe të gjithë aktorët duhet të punojnë me hartimin dhe zbatimin e politikave të mirëfillta për të ndalur uljen drastike demografike të popullsisë si një emergjencë kombëtare që mund të zbusë efektet që mund të ketë nesër në ekonomi një fakt i tillë”.

Ndërsa në fjalën e saj më herët, bashkëkryetarja e Komisionit të Integrimit Rudina Hajdari ka kërkuar të hartohet një program për integrimin e personave të deportuar nga vendet e huaja. Hajdari tha se duhen mësuar arsyet që shtyjnë shqiptarët të largohen për të kërkuar një azil, për të parandaluar këtë fenomen.

"Duhet një program për integrimin e personave të deportuar. Duhet të merremi me indicie se pse njerëzit me një jetë mesatare dhe me profesion zgjedhin të ikin drejt vendeve të BE. Duhet të jemi sa më të hapur dhe të pranojmë përgjegjësitë tona si një klasë politike. Sepse politika e ka zhvilluar akoma më shumë këtë fenomen. Nuk mund ta sheshojë fakti se meqë po ndodh nëpër vendet e tjera le të ndodhë edhe tek ne. Duhen marrë parasysh shumë faktorë në momentin kur bëjmë këtë lloj analize. Çdo ditë dëgjojmë njerëz që duan të largohen nga Shqipëria. Dua që t’ia japim fjalën edhe qeverisë", tha Hajdari./b.l/noa.al/