Transmetuar më 23-01-2020, 21:11

Mëngjesin e së mërkurës në Prizren ndodhi një ngjarje e rëndë, ngjarje që tronditi opinionin mbarëshqiptar.

Burrë e grua u gjetën të vdekur në shtëpinë e tyre në lagjen “Ortakoll” të Prizrenit mëngjesin e djeshëm.

Çifti bashkëshortor, i cili kishte ardhur para dy ditësh nga Suedia në Kosovë, dyshohet se u qëllua për vdekje me armë zjarri.

I dyshuari kryesor për vrasjen e tyre është A.Hadri, djali i tyre, i cili ka ikur nga Kosova, pas vrasjes makabre të prindërve.

Dy gëzhoja të plumbave dhe një pistoletë u gjetën në afërsi të trupave të pajetë të Suada dhe Durim Hadrit nga Prizreni.

Oborri i shtëpisë së familjes Hadri në lagjen “Ortakoll” të Prizrenit po qëndron ende i rrethuar me shirita të policisë të cilët tregojnë se një ditë më parë aty ndodhi një ngjarje e rëndë.

Ishte Prokuroria Themelore e Prizrenit që tha se i dyshuar për vrasjen e çiftit nga Prizreni është djali i tyre 35-vjeçar, A.Hadri.

Suada e Sokol Hadri kishin ardhur nga Suedia në Kosovë më 20 janar, ndërkaq po atë natë, djali i tyre A.Hadri kishte ikur nga Kosova.

Prokuroria ka thënë se i dyshuari ka shkuar nga Kosova në Maqedoni më 20 janar, e më 21 janar nga Maqedonia në Greqi.

Ndërkaq gjatë ditës së sotme policia ka marrë në pyetje edhe dy fëmijët e tjerë të çiftit Hadri, të cilët pas marrjes së lajmit për vrasjen e prindërve të tyre, kanë ardhur nga Suedia në Kosovë.

Nuk dihet arsyja apo motivi se pse djali ka vrarë prindërit e tij. Hetimet mbi ngjarjen e rëndë pritet të zbardhin ngjarjen dhe të vënë para përgjegjësisë autorin e krimit.

/NOA.al