Transmetuar më 23-01-2020, 16:21

Kryeministri Edi Rama zgjodhi kryeqytetin italian Romë për të shpallur shifrën e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit të kaluar. Ai tha se shifra vërtitet rrotull 1 miliard euro duke shtuar gjithsesi se ende nuk ka një raport zyrtar për pasojat financiare.

Deklarimi i Kryeministrit Edi Rama nga Roma, u bë sot pas takimit me Kryeministrin e Italisë, Giuseppe Conte, si dhe me ministrin e Punëve të Jashtme Luigi Di Maio, ku u fol për mbështetjen e mëtejshme të Italisë mike në funksion të Rindërtimit, në vigjilje të Konferencës së Donatorëve më 17 shkurt në Bruksel.

"Përshëndetje nga Roma, ku kemi kryer dy takime të rëndësishme, me Kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm në funksion të Rindërtimit, në vigjilje të Konferencës së Donatorëve për Shqipërinë, e cila do të mbahet në 17 shkurt në Bruksel, nën kujdesin e Presidentes së Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen", tha Rama duke shtuar:

"I kam falenderuar natyrisht, Kryeministrin Conte dhe ministrin e Jashtëm Di Maio, për ndihmën e paçmuar të Italisë mike, qysh në orët e para pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit. I kam informuar për punën që kemi bërë me planet e rindërtimit, si edhe me raportin e dëmeve, i cili pritet të përfundojë në ditët në vijim, në bashkëpunim me Bashkimin Europian dhe Kombet e Bashkuara. Shifra përfundimtare nuk ka dalë ende, por të dhënat e konsiderueshme që  janë mbledhur deri tani na japin një shumë që në fund do të rrotullohet rreth miliardit në euro, pak më shumë, pak më pak".

Rama tha se megjithë pritshmëritë nga 17 shkurti, "e kemi shumë të qartë që për të përmbushur të gjithë nevojën e jashtëzakonshme, nuk do të mjaftojë, por jemi të mirëpërgatitur, për të vijuar pas Konferencës edhe disa me veprime të tjera kurajoze në aspektin financiar, duke përfituar nga qëndrueshmëria e lartë makroekonomike që kemi garantuar në këto vite reformash, si edhe duke kombinuar disa skema financimi për Rindërtimin, gjithnjë pa ndërprerë, sepse kjo është ambicia dhe pa reduktuar programe të tjera të investimeve, zhvillimit e të mbrojtjes sociale gjithashtu".

Në këtë mënyrë Rama qartësoi se ai nuk pret nga 17 shkurti që Europa të japë 1 miliard euro për Shqipërinë.

Shefi i qeverisë shtoi se planet e rindërtimit po ecin shpejt brenda kalendarit të parashikuar, për të mundësuar fillimin e ngritjes së banesave të para individuale në pranverë dhe përfunduar me shtëpitë në zonën rurale, brenda vitit 2020.

"Po punohet edhe me planet e zonave të rindërtimit në qytetet e prekura, brenda perimetrit, ku ndërhyrjet do të jenë masive dhe procesi i projektimit natyrshëm pak më i gjatë. Por jemi brenda afateve të përcaktuara dhe ndërkohë është e qartë për të gjithë dhe dua ta ritheksoj se do të vijojmë t’u paguajmë deri ditën e fundit qeranë e shtëpisë ku janë sistemuar njerëzit e prekur, deri kur t’i kthejmë në apartamentet e reja. Gjithashtu jemi brenda afateve edhe me kalendarin ambicioz të rindërtimit të shkollave në gjithë zonën e prekur, si edhe të spitalit të Laçit, sëbashku me 5 qendra shëndetësore që duhen ndërtuar nga e para.  E di shumë mirë që për njerëzit e prekur çdo ditë është shumë e gjatë se është një pritje e lodhshëm, por ju lutem të gjithëve të mirëkuptojnë nevojën për durim. Durim dhe besim të plotë se askush nuk do të mbetet vetëm", përfundoi z.Rama /noa.al/