Transmetuar më 23-01-2020, 14:44

Pas vizitës zyrtare në Itali ditën e sotme, Kryeministri Edi Rama dha një videomesazh, lidhur me atë çfarë u diskutua me homologun italian Giuseppe Conte dhe me ministrin e Jashtëm, Luigi Di Maio.

Ai tha se pati takime të rëndësishme me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm në vigjilje të konferencës së donatorëve për Shqipërinë në 17 shkurt në Bruksel nën kujdesjen e Presidentes së Komisionit Europian.

“Falenderova Kryeministrin Conte dhe ministrin Di Maio për ndihmën e paçmuar të Italisë mike që në orët e para pas tërmetit shkatërrues, i kam informuar për punën që kemi bërë me planet e rindërtimit dhe me raportin e dëmeve, që pritet që të përfundojë në ditët në vijim në bashkëpunim me BE-në dhe OKB-në. Shifra nuk ka dalë ende por të dhënat e mbledhura deri tani që rrotullohet te 1 miliard euro, ne do të bëjmë çmos edhe me ndihmën e miqve të mëdhenj të Shqipërisë, ku Italia është ndër më të afërtit, që konferenca të jetë një sukses”, u shpreh Rama.

Në vijim tha se e ka shumë të qartë që për të përmbushur nevojën nuk do të mjaftojë, por tha se janë përgatitur për të vijuar pas konferencës me disa veprime të tjera kurajoze duke përfituar nga qëndureshmëria e lartë makro ekonomike që kemi garantuar në këto vite reformash dhe duke kombinuar disa skema financimi dhe pa ndërprerë dhe reduktuar programe të tjera.

“Jam shumë mirënjohës nga vëmendja e veçantë dhe gatishëmria që kam gjetur këtu dhe do të vijoj me takim me kancelaren Merkel në fillim të javës së ardhshme dhe më tutje me disa kontakte kyçe, në mënyrë që konferenca të jetë një sukses”, deklaroi kreu i qeverisë.

Ndër të tjera thanë se planet e rindërtimit po ecin shpejt për të mundësuar ngritjen e banesave të para në pranverë dhe përfunduar me shtëpitë në zonat rurale brenda 2020 dhe se po punohet edhe në qytetet e prekura, ku ndërhyrjet do të jenë masive dhe procesi i projektimit pak më i gjatë.

“Jemi brenda afateve. Do të vijojmë tu paguajmë deri ditën e fundit njerëzve të prekur deri kur ti kthejmë në apartamentet e reja”, deklaroi Kryeministri.

Ai shtoi se janë brenda afateve edhe për rindërtimin e shkollave dhe spitalit të Lacit, por ju kërkoj durim. /a.y/noa.al