Transmetuar më 22-01-2020, 10:57

Kontrolli i Lartë i Shtetit publikon rezultatet e auditimit të performancës së Ministrisë së Bujqësisë në Kuadër të Zbatimit të Politikave të Peshkimit dhe Akuakulturës.

Në konkluzione thuhet se Qendra e Grumbullimit dhe Depurimit të Midhjes Sarandë nuk siguron që e gjithë sasia e prodhuar e midhjeve të kalojë në qendër për certifikim, etiketim apo depurim sipas klasifikimit, pra sasia e midhjeve të hedhura në treg nuk klasifikohet dhe certifikohet nga kjo qendër sipas kërkesave ligjore si dhe jepet alarmi se "Konsumatorët konsumojnë midhje pa asnjë kontroll".

Në raport thuhet se ekonomitë e rritjes së rasatit të Koranit në Lin dhe Krapit në Zvezdë nuk furnizohen mjaftueshëm me ujë dhe cilësia e tij nuk është në parametrat e duhura.

“Ekonomia e Linit nuk ka një mol i cili do të ndihmonte për të rritur efektivitetin e procesit të hedhjes së rasatit në liqen. Ekonomia e Zvezdës nuk punon me kapacitet të plotë pasi nuk arrin të furnizohet mjaftueshë me ujë”, nënvizohet më tej.

KLSH ka dhënërekomandime për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe për Drejtorinë e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës në kuadër të zbatimit të Politikave të Peshkimit dhe Akuakulturës.

Më tej thuhet se asnjë nga katër portet e peshkimit nuk ka kapacitetet e duhura ankoruese për të gjithë flotën e peshkimit dhe se këto hapësira zvogëlohen edhe më shumë, duke marrë parasysh anijet e zhytura (portet e peshkimit Vlorë dhe Shëngjin), zënien e hapësirave të ankorimit nga mjetet private turistike (porti i peshkimit Vlorë) apo mungesën e bankinave ankoruese.

Rezultatet e auditimit

-Anijet e peshkimit kryejnë aktivitet pa qenë të pajisura me pajisjen përkatëse të identifikimit dhe lokalizimit automatik, kjo në kundërshtim me ligjin nr. 64/2012 “Për peshkimin”, i ndryshuar.

-Aktiviteti i peshkimit dhe akuakulturës nuk monitorohet me inspektim dhe kontroll 24/7, si rezultat inspektorët e peshkimit nuk mund të kontrollojnë peshkimin e paligjshëm, të paregjistruar dhe të paraportuar.

-Portet e peshkimit të vendit tonë menaxhohen në mënyrë joefektive dhe kanë probleme të dukshme në infrastrukturë. Asnjë nga katër portet e peshkimit nuk ka kapacitetet e duhura ankoruese për të gjithë flotën e peshkimit.

-Të gjitha portet e peshkimit kanë probleme në furnizimin me ujë dhe energji elektrike. Në portin e peshkimit Vlorë, një pjesë e konsiderueshme e hapësirave është e zënë me mjetet e sekuestruara nga Policia Rrugore.

-Ekonomitë e rritjes së rasatit të koranit në Lin dhe krapit në Zvezdë nuk furnizohen mjaftueshëm me ujë dhe cilësia e tij nuk është në parametrat e duhura.

-Sasia e midhjeve të hedhura në treg nuk klasifikohet dhe certifikohet nga kjo qendër sipas kërkesave ligjore. /a.y/noa.al