Transmetuar më 21-01-2020, 22:28

Vajza e Ziver Veizit, një nga katër të vrarët më 21 janar 2011 në Bulevard, në demostratën e opozitës së asaj kohe, dhe sipas hetimeve i qëlluar nga plumbat e Gardës së Republikës, thotë se drejtësia për katër viktimat nuk është vënë ende në vend.

“ Ndjehem e vlerësuar në një farë mënyrë, sidomos nga njerëzit dhe populli. Kemi shumë pasur përkrahje nga qeveria aktuale, që na qëndruar gjatë gjithë kohës pranë. Kjo më bën që të ndihem krenare për tim atë. Megjithatë nuk ndihem e plotësuar. Si unë dhe 3 familjet e tjera kerkojmë drejtësi. Në fakt drejtësia nuk ka një emër të caktuar vrasja, mund të jenë 1 ose disa. Unë bëj me faj qeverinë e asaj kohe, kryeministrin e asaj, ministrin e brendshëm të asaj kohe, të gjykohen ata. Ndonëse edhe gardistët nuk janë pa faj, edhe pse e dimë që këtu jetojmë në Shqipëri ku e dimë që njerëzit zbatojnë urdhërat”, tha Ana Veizi.

E ftuar në "Vizion Plus", vajza, tani 20 vjeçare theksoi se shpreson shumë tek SPAK për të vendosur drejtësinë në vend.

“Unë ende shpresoj sidomos me SPAK, dhe kam besim që drejtësia nuk do të vonojë”.

Në fund Ana Veizi tha se ëndrra e saj është që të bëhet gjyqtare. Vdekja e babait dhe fakti që nuk ka gjetur drejtësi, e ka shtyrë t’i futet studimeve për juridik, ku aktualisht është në vitin e dytë.

"Personalisht nuk më intereson politika, është ngjarja e 21 janarit që na ka përfshirë si familje, dashje pa dashje. Jam e interesuar dhe shumë e fokusuar tek drejtësia. Dua të bëhem gjyqtarë, dua të jem një krah, një mbështetje për të gjithë ata që e vuajnë drejtësinë”, u shpreh vajza e një prej katër të vrarëve në bulevard, më 21 janar 2011./NOA.al