Transmetuar më 21-01-2020, 21:45

Një 29-vjeçar nga Tirana që bënte "spektakël" me makinë në rrugë është kapur nga Policia Rrugore dhe është shoqëruar në komisariat.

Ai xhironte goma dhe bënte manovra të rrezikshme në rrugën "Llazi Miho" me automjetin tip "Mercedes Benz".

Pas pamjeve filmike të kamerave përreth vendit, policia bëri të mundur identifikimin e automjetit.

Pas identifikimit të të dhënave të automjetit që shfaqej në videon e publikuar, policia rrugore e kryeqytetit organizoi kontrolle që bënë të mundur kapjen e drejtuesit.

29-vjeçari u kap në Unazën e re dhe u shoqërua në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 në Tiranë, ku po kryhen dhe verifikimet e nevojshme, me qëllim procedimin penal.

Policia ka bërë thirrje që qytetarët të denoncojnë raste të tilla që cënojnë sigurinë e të tjerëve./a.m/noa.al