Transmetuar më 21-01-2020, 13:05

Vilson Tafçiu (Noka), 28-vjeçari i cili u ekzekutua mbrëmjen e së hënës në zonën e “Astirit” në Tiranë, ishte në lokal me dy vajza, pak para se ta vrisnin.

Dy të rejat janë shoqëruar në polici, pas ngjarjes, ku kanë dhënë dëshminë e tyre lidhur me çfarë kanë parë.

Ato kanë thënë se kanë pirë kafe me të riun, kur afër tyre është afruar një person, i cili i ka kërkuar Vilsonit që të dilte pak, pasi kishin diçka për të sqaruar.

Sipas tyre, viktima duket se e njihte personin që e nxorri jashtë dhe këtë gjë, vajzat e mbështesin në mënyrën se si kishin komunikuar.

Por teksa është larguar drejt një rrugice pranë një lokali, 28-vjeçari është qëlluar me plumb në zemër, duke gjetur vdekjen.

Viktima rezulton person me precedentë penal dhe në mars të vitit 2018 ishte arrestuar në Francë për trafik droge. Pas qëndrimit për disa muaj në paraburgim, ai ishte deportuar dhe qysh prej nëntorit, ka jetuar në Belgjikë. I riu i cili njihej edhe si Vilson Noka, kishte ardhur në zonën ku ndodhi krimi pasi pak ditë më parë i kishte vdekur gjyshja.

Teksa dyshohet se ekzekutimi i tij ka lidhje me të kaluarën dhe konfliktet në dy shtetet ku ka jetuar, kamerat e sigurisë së bizneseve përreth kanë fiksuar dy makina, teksa largoheshin me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Njëri nga drejtuesit e dy mjeteve është shoqëruar dhe gjatë marrjes në pyetje ka thënë se ka ikur me shpejtësi pasi ka dëgjuar të shtënat. Makina e autorëve, mendohet se është mjeti tjetër me ngjyrë të zezë “Golf 6”, prej të cilës nuk ka gjurmë. Si të dyshuar për vrasjen e 28-vjeçarit Vilson Tafçiu (Noka), policia ka shpallur në kërkim një person me inicialet N.D. /a.y/noa.al