Transmetuar më 21-01-2020, 11:11
Celularet e vjedhur

Katër persona janë arrestuar nga policia e Korçës, të akuzuar për vjedhje me dhunë të dy refugjatëve sirianë.

Efektivët e policisë mbrëmjen e së hënës, gjatë patrullimit të tyre kanë konstatuar në qytetin e Korçës, dy shtetas të huaj të cilët i kanë kërkuar ndihmë punonjësve të policisë, pasi disa persona që iu kishin premtuar kundrejt fitimit transportimin drejt Tiranës, i kishin kanosur këta të fundit dhe pasi i kishin dhunuar fizikisht iu kishin vjedhur tre aparate celulari, 350 euro, si edhe çantat e tyre personale.

Nga hetimet e kryera u bë arrestimi i autorëve të dyshuar M. R., 19 vjeç, banues në Korçë, K. D., 20 vjeç, banues në fshatin Vithkuq, Korçë, A. G., 19 vjeç, banues në fshatin Vithkuq, Korçë dhe K. I., 19 vjeç, banues në Korçë.

Në vijim të hetimeve të kryera, dyshohet se katër të rinjtë, janë autorë të dyshuar edhe të dy ngjarjeve të tjera të ndodhura në qytetin e Korçës,

gjatë muajit dhjetor, ku kanë vjedhur me dhunë katër shtetas të huaj, të cilëve iu kanë marrë 4 aparate celulare dhe shumën prej 440 euro.

Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë për veprën penale “Vjedhja me dhunë, kryer në bashkëpunim”. /a.y/noa.al