Transmetuar më 21-01-2020, 11:09

Tre javë nga largimi me dhunë nga Shqipëria, zbardhet urdhri i dëbimit për mësuesin turk Harun Çelik, i konsideruar mbështetës i Gylenit, kundërshtarit më të madh të presidentit të Turqisë Erdogan.

Në urdhrin e dëbimit thuhet se Çelik nuk plotëson kushtet e nevojshme për qëndrim duke iu referuar nenit 109/A.

Po kështu nuk i është lënë asnjë ditë afat nga urdhri për largimin dhe saktësohet që dalja nga Shqipëria të bëhet nëpërmjet aeroportit të Rinasit.

Për një periudhë 5-vjeçare, pra deri në vitin 2025 Çelik nuk lejohet të hyjë në Republikën e Shqipërisë.

Një gjykatë në Turqi ka dhënë masën e paraburgimit pa afat për Harun Çelik. Gjykata vendosi të japë masën e paraburgimit me akuzat për “pjesëmarrje si anëtar në organizatë të armatosur terroriste”.

Turqia e akuzon Harun Çelik si anëtar organizatës terroriste ‘FETO’. Çelik, u arrestua në kuadër të një hetimi të Kryeprokurorisë Publike të Stambollit dhe pas përfundimit të procedurave në Policinë e Stambollit u transferua në gjykatën e këtij qyteti me kërkesë të kryeprokurorisë.

42-vjeçari, baba i katër fëmijëve më parë ka qenë i dënuar disa muaj në Shqipëri, pasi u arrestua në aeroportin e Rinasit për veprat penale “falsifikim i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “falsifikim i dokumenteve”./b.l/noa.al/