Transmetuar më 21-01-2020, 10:57
Lenda narkotike e sekuestruar

“Shadow” (Hijet), u kodua një operacion i policisë së Tiranës, gjatë të cilit u sekuestrua një sasi e konsiderueshme lëndë narkotike në ambientet e një lokali, ku u vunë në pranga pronari dhe banakieri.

Efektivët e komisariatit Nr. 2, gjatë mbrëmjes së të hënës në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se në një lokal në rrugën “Skënder Luarasi” shpërndahej lëndë narkotike, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Shadow”.

Kështu u vu në pranga pronari i lokalit B. B., 42 vjeç, banues në Tiranë dhe A. B., 41 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për dhunë në familje, kamarieri i lokalit.

Arrestimi i tyre u bë, pasi në rrugën “Skënder Luarasi” gjatë kontrollit të ushtruar në një lokal bar-kafe, me pronar shtetasin B. B., dhe kamerier shtetasin A. B., shërbimet e policisë gjetën në ambientet e brendshme të lokalit lëndë të dyshuar narkotike kanabis, të futur në qese plastike dhe në dy kavanoza qelqi.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 736.4 gramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis, grirëse metalike dhe dy aparate celularë.

Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” e kryer në bashkëpunim. /a.y/noa.al