Transmetuar më 21-01-2020, 10:43
Foto ilustruese

Dalin detaje të reja lidhur me ngjarjen e ndodhur fundjavën e lënë pas në zonën e “Plazhit” në Durrës, ku një vajzë 16-vjeçare denoncoi në polici një djalë 18 vjeç, për përdhunim.

Gjithçka ndodhi teksa dy të rinjtë e kishin lënë për kafe, pas disa bisedash që kishin bërë në rrjetin social Instagram.

Por pas bisedave të cilat kishin kaluar në shumë afrimitet mes të rinjve, pas kafes, sipas vajzës, djali i kishte kërkuar që të kryenin marrëdhënie seksuale.

Siç pretendon e mitura, kjo kërkesë e tij ishte refuzuar nga adoleshentja, duke i thënë se nuk ishte gati për të ndërmarrë një hap të tillë, pasi sapo ishin njohur.

“Pavarësisht kundërshtimit tim, ai veproi nëpërmjet forcës”, tha adoleshentja gjatë marrjes në pyetje.

Mirëpo gjatë marrjes në pyetje 18-vjeçari i arrestuar mohoi akuzat e përdhunimit, duke thënë se denoncimi u bë prej së resë, në shenjë hakmarrje.

I riu tha se prej disa ditësh kishte komunikuar me vajzën në Instagram dhe në vijim të komunikimeve e kishin lënë për kafe për tu njohur më nga afër.

“U takuam një ditë dhe që prej asaj dite nuk e kam takuar më. Unë vendosa që të mos e shtynim më tej lidhjen, pasi nuk më pëlqeu”, ka thënë i riu.

Ai ka shtuar gjithashtu se ishte zhgënjyer, pasi vajza ndryshe i dukej në Instagram dhe krejt ndryshe nga afër.

Jo vetëm kaq por 18-vjeçari thotë se vajza e ka kërcënuar, pasi nuk e pranoi refuzimin e tij.

“Mendova se do të ishte çështje kohe dhe do e kalonte por ajo e paska pasur seriozisht. Betohem se nuk kam abuzuar me të”, ka thënë i riu.

Lidhur me këtë rast hetimet janë në ivjim, ndërkohë që bisedat telefonike dhe ato në rrjetet sociale janë vënë në shënjestrën e policisë, për të zbuluar të vërtetën.

Sakaq përgjigja e ekspertizës mjeko-ligjore, pritet të vërtetojë ose rrëzojë pretendimet e vajzës. /a.y/noa.al