Transmetuar më 20-01-2020, 21:30

Barcelona dhe Albacete kanë arritur një akord për transferimin e futbollistit shqiptar Rei Manaj, 22 vjeçar, në klubin blaugrana.

Ai ka firmos sot një kontratë që skadon më 30 qershor 2023.

Manaj do të ketë një klauzolë largimi prej 50 milionë eurosh. Lojtari ka kaluar testet e nevojshme mjekësore dhe më pas ka firmosur kontratën e tij të re në stadiumin “Johan Cruyff” në praninë e drejtorit përgjegjës të Barcelona B, Silvio Elias, si dhe sekretarit teknik të Barcelonës B, Hose Mari Bakero.

"Vlera e transferimit nga Albacete është 700 mijë euro, plus 2 milionë euro në varësi të rendimentit gjatë këtyre tre viteve e gjysmë kontratë. Lojtari do të mbajë fanellën me numrin 22”, shpjegoi Barcelona mbi kushtet e kontratës së futbollistit.

Barcelona B ka qëllim që të ngjittet në La Liga 2 dhe e sheh Manajn si qendërsulmuesin perfekt që do ta ndihmojë në këtë rrugëtim. Në rast se ai bën një paraqitje dinjitoze, ka shanse të kalojë edhe të skuadra e parë, për të qenë pjesë e yjeve të futbollit botëror, si Messi me shokë.

Vetë lojtari ka zbuluar duke folur për televizionin e klubit se në momentin që kishte dëgjuar për interesimin e Barcelonës, edhe pse bëhej fjalë për kategorinë e tretë si fillim, as nuk kishte dashur të dëgjonte oferta të tjera.

“Mendoj se është një ditë e rëndësishme për jetën time, të firmos zyrtarisht për një klub të madh, për të cilin mendoj se është më i miri në histori. Tani pres me padurim që të filloj të luaj. Kur doli në skenë kjo ofertë e Barcelonës nuk dëshiroja të dëgjoja asnjë gjë tjetër dhe i vetmi objektiv ishte që të vija këtu dhe tani që jam, jam shumë i kënaqur dhe i lumtur", tha Manaj.

"Uroj që t’i sjell shumë gjëra ekipit sa i përket eksperiencës dhe lojës,", – u shpreh futbollisti kuqezi. – "E di që një lojtar duhet të shënojë gola dhe uroj të shënoj të tillë. Individualisht kam disa objektiva por dua t’i mbaj për veten dhe shpresoj që ekipi të ngjitet në kategori pasi është një gjë shumë e rëndësishme për klubin. Ky është klubi më i rëndësishëm në botë, ndaj gjithçka është perfekte”, tha Manaj.

/NOA.al