Transmetuar më 20-01-2020, 14:01
Agim Kajmaku

Teksa ish-kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku është shpallur në kërkim, gruaja e tij fiton një tender të rëndësishëm.

Merita Kajmaku, e cila rezulton pronare e “Kajmaku” sh.p.k, ka fituar në 30 dhjetor një tender prej 50 milionë lekësh të vjetra.

Bëhet fjalë për një tender i cili synon mirëmbajtjen e sipërfaqeve të gjelbërta për Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Shpallja e saj fituese është bërë përballë dy kompanive të tjera, ndërsa një e katërt u skualifikua.

Tenderi është shpallur nga Drejtoria e Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme.

Agim Kajmaku është shpallur në kërkim dhe ndaj tij Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e shkarkoi më 1 nëntor Agim Kajmakun, duke e gjetur mandatin e tij të pavlefshëm.

Ky shkarkim erdhi pasi u verifikua nga Prokuroria se Agim Kajmaku, ka falsifikuar formularin e Dekriminalizimit, duke fshehur arrestimin dhe hetimin në Greqi për veprën penale të përdorimit të parave false, si dhe duke fshehur identitetin e rremë të përdorur në Greqi për prindërit e tij.

Kajmaku rezulton i dënuar në shtetin grek dhe njihej me emrin Jorgo Toto.

Prokuroria e Tiranës, e ka shpallur në kërkim me masë sigurimi me arrest në burg, në lidhje me hetimin që zhvillohet në ngarkim të Agim Kajmakut, i dyshuar për kryerjen e veprave penale, “Shpërdorim detyre”, “Falsifikimi i formularëve”, dhe “Ushtrimi i funksioneve pas dhënies fund të detyrës”. /a.y/noa.al