Transmetuar më 20-01-2020, 11:26

Presidenti i Ilir Meta dekoron aktorin e njohur Petrit Malaj me titullin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Për talentin e spikatur dhe profesionalizmin në realizimin e shumë roleve artistike si në ekranin e kinemasë, ashtu dhe në skenën e teatrit; për kontributin e dhënë në organizimin dhe drejtimin e strukturave akademike të artit skenik”.

Në ceremoninë e mbajtur në Presidencë duke i dorëzuar aktorot vlerësimin e lartë, Presidenti Meta vuri në dukje kënaqësinë e veçantë të nderimit të një personaliteti të artit skenik e filmit shqiptar, dhe një pedagog me 35 vite eksperiencë pedagogjike në Universitetin e Arteve.

“Kontributi i tij është real dhe i prekshëm, si në krijimtarinë e tij aktoriale ashtu edhe në fushën pedagogjike. Me krijimtarinë e tij, Petrit Malaj është një personalitet i njohur për publikun shqiptar, ku me personazhet e interpretuara prej tij ka fituar simpatinë e të gjithëve. Ai ka interpretuar në mbi 20 filma artistik, në shumë pjesë teatrale dhe përherë ka transmetuar plot talent te publiku jetën e personazheve të tij. Zoti Petrit Malaj i përket një brezi të artë të artistëve shqiptarë. Nuk mund të lë pa veçuar rolet e tij në filmat si , “Besa e Kuqe”, “Nëntori i Dytë”, “Militanti”, “Balada e Kurbinit”, “Kolonel Bunker”, e në veçanti në filmin “Kur hapen dyert e jetës”, që është aq i dashur për publikun shqiptar edhe sot. Së fundmi ai është rikthyer me shumë sukses në teatër në shfaqjen “Vizita e Inspektorit” me regji të regjisorit Altin Basha”, tha Meta.

Ai shtoi se Malaj ka luajtur krah figurave më të mëdha të filmit shqiptar, si Sandër Prosi, Kadri Roshi, Robert Ndrenika, Tinka Kurti, Reshat Arbana, Ndrek Luca, Timo Flloko, Kastriot Çaushi, e shumë artistë të tjerë dhe regjizorë të talentuar.

“E larmishme sigurisht, është edhe karriera e tij pranë institucionit të vetëm publik të arsimit të lartë artistik në Shqipëri, si udhëheqës artistik i teatrit të Akademisë së Arteve, Dekan i Fakultetit të Artit Skenik dhe Rektor i Universitetit të Arteve. Me krijimtarinë e tij, punën pedagogjike dhe drejtuese në Universitetin e Arteve, Petrit Malaj është pjesë e kontributit shumëvjeçar të brezave të shumtë të aktorëve, pedagogëve e studentëve për artin shqiptar”, u shpreh Presidenti. /a.y/noa.al