Transmetuar më 19-01-2020, 16:04

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mbi ngërçin e krijuar lidhur me vonesën për moskrijimin e qeverisë së re, thotë se qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë presin me padurim themelimin e institucioneve të reja të vendit.

Ai shtoi se kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, duhet të pranojë ose refuzojë të krijojë qeverinë e re, bazuar në rezultatet e zgjedhjeve.

– "Është në vullnetin e spektrit politik që të përmbyllet me sukses procesi i 6 tetorit", theksoi Thaçi, – i cili shtoi se "Kurti duhet të hedhë hapin e parë në rast të kundërt të refuzojë mandatin për udhëheqjen e qeverisë së re".

“Koha po kalon, prandaj unë si president i vendit duke e parë angazhimet e kryetarit të partisë së parë që ka dalur në zgjedhjet e 6 tetorit, unë duke menduar që do ta pranon sepse është një rregull i pashkruar…"

"Unë e kam nënshkruar atë ditë nominimin e Z.Kurtit si kandidat për kryeministër të ardhshëm të Qeverisë së Kosovës, ai nominim i nënshkrimi tim është ende në tavolinën time të punës këtu. Shpresoj që nuk kalon kohë të gjatë dhe Z.Kurti që të reflekton në kuptimin e pranimit të nominimit, në rrethana të tjera duhet ta deklarojë refuzimin”.

Albin Kurti, partia e të cilit u shpall fituese e zgjedhjeve, ende nuk e ka arritur zyrtarisht marrëveshjen me LDK-në, pasi nuk i ka numrat e nevojshëm për krijimin e qeverisë së re.

Lidhur me kritikat ndaj tij, Presidenti Hashim Thaçi tha se me çdo veprim të tij po respekton në tërësi kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

/NOA.al