Transmetuar më 16-01-2020, 00:01

Problemet me zemën në Shqipëri renditen si shkaku i parë i humbjes së parakohshme të jetës.

Të dhënat e një viti më parë nga Instituti i Shëndetit Publik janë alarmante në lidhje me numrin e të sëmurëve nga zemra.

Po ju a jeni të rrezikuar?

Një projekt i përbashkët i Universitetit të Bostonit dhe Institutit Amerikan Për Zemrën, do të hedhë në treg një pajisje që përllogarit moshën e saktë të zemrës.

Jo vetëm moshën por edhe rrezikun që u kanoset nga sëmundjet kardiovaskulare. Në përllogaritjen e këtij rreziku përfshihen edhe mosha, historiku i familjes dhe stili i jetesës.

Nuk përjashtohen edhe ushqyerja, aktiviteti fizik dhe duhanpirja

Nëse marrim në konsideratë numrin e lartë të njerëzve të prekur nga këto sëmundje në Shqipëri, atëherë me siguri, zemra e shumë njerëzve është "e plakur" para kohe.

Faktorët që plakin zemrën dhe ata që e rinojnë atë

Ju mund të ndiheni të rinj në moshë, por nëse pini duhan, nëse nuk kryeni aktivitet fizik dhe nëse nuk ushqeheni shëndetshëm, zemra juaj ka hyrë në moshën e tretë. Ekspertët thonë se përveç ushqyerjes së shëndetshme dhe aktivitetit fizik, ju mund të ulni faktorët e rrezikut duke: Ulur tensionin e gjakut. Përmirësuar nivelin e kolesterolit. Mirëmbajtur peshën. Kontrolluar nivelet e glukozës, sheqerit në gjak.

Regjimi Mesdhetar – më i miri për zemrën

Ushqyerja mesdhetare është një regjim i shëndetshëm për zemrën. Nëse e keni të vështirë të ushqeheni shëndetshëm mund të ndërmerrni hapa të vogla:Hani perime në të paktën dy herë në ditë. Hani nga një frut në çdo vakt. Përfshini arrorët, si arra, bajame, lajthi e të tjera, nëpër sallata. Hani mish të kuq vetëm një herë në javë. Nga ana tjetër, duke kryer edhe aktivitet fizik, ju mund të jeni në rrugën e duhur për ta mbajtur zemrën të re dhe në formë. Në këtë mënyrë, mund të shmangni disa probleme dhe sëmundje kronike.

/NOA.al