Transmetuar më 10-01-2020, 23:00

Opinion nga Ledi Shamku 

RRI?!

Ata janë të martuar, posi!

Kanë edhe një vajzuke të vockël, po!

Burri ka ca kohë që i ka thënë burgut hapu se shiste miell jo nga ai i petullave!

Banojnë në Paskuqan, pra në Tiranë!

Burri, ai i miellit, aty në birucë ku është ka hallin e nderit. Dhe le roje të vëllanë.

Rojen e gruas së burrit që s’është!

Vëllai i burrit që s’është hyn në shtëpi, aty ku gruaja po ha darkën vetmitare me t’ëmën dhe vajzën e vogël, dhe e vret.

Jo, më falni, nuk e vret, e vdes në dru me një shkop bejsbolli. Në dru e vdes deri sa ajo vdes se burri që s’është, ai i miellit, po vdiste nga dyshimet…

Ajo vdiq.

E copëtuan në sy të vajzukes

E mbaruan në sy të nënës

E sosën në prani të vetes së vetme.

Ishte e vetme dhe ishte veçse 30 vjeç.

Dhe ti rri?

Ti hesht?

Ti rri në shtëpi?

Ti jep lajme të tjera veç kësaj a thua se ky është thjesht një lajm?

Ti? Ç’dreqin bën ti shoqëria ime bashkë me mua e me sa si mua, ç’dreqin bëjmë që s’bëjmë asgjë, po thjesht mbushim kuota grash e vajzash e vajzash e grash… ndërkohë që gratë na i vrasin në sy të vajzave e vajzat na i vrasin pa u bërë gra!

Ah po, prit se jena tu u marrë me Iranin, Trampin dhe do trampolina të tjera.

Nuk di a me qa a me ofsha a me ulëri, nuk di… Kam hall se po brita, m’tremben kuotat e m’arratisen nga letrat!

/NOA.al