Thaçi konfirmon datën: Ja kur takohem me Albin Kurtin. Ndërkombëtarët të mos ndërhyjnë
Transmetuar më 31-12-2019, 13:21

Presidenti Hashim Thaçi  ka thënë se do ta presë në zyrën e tij për ta mandatuar kandidatin e Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurtin, me 6 janar, ashtu sic ai kërkuar.

Thaçi në konferencën e fundvitit ka thënë se e mirëpret Kurtin në zyrën e tij me datë 6 janar në orën 15:00 dhe thotë se ata nuk mund të sillen me hatërmbetje. “E mirëpres që pas ftesës së tretë, Kurti ka pranuar ftesën time. Në datën që ka kërkuar Kurti, në orën 15:00 do ta pres. Ne nuk mund të sillemi me hatrime. Kështu që, mirësevjen në ditën që ka propozuar”, ka thënë Thaci, raporton Gazeta Express.

“Është obligim kushtetues i Presidentit të Kosovës që t’i drejtohet Kuvendit të Kosovës njëherë brenda vitit. Unë me dëshirën më të madhe do të doja t’i drejtohesha, por për fat të keq aktualisht nuk kam kujt t’i drejtohem. Pres që në javët e para të janarit të kemi funksionalizimin”

Ai kërkon nga ndërkombëtarët të mos interferojnë në formimin e Qeverisë. “Kam dërguar tri ftesa në drejtim të Kurtit për t’u takuar dhe të diskutojmë për t’u nominuar. Takimi në presidencë është një pjekuri politike dhe një shëndet për demokracinë në Kosovë. Ndërsa për krijimin e Qeverisë, nuk i takon as presidentit edhe as faktorëve ndërkombëtarë të ndërhyjnë dhe të japin preferenca. Askujt nuk i takojë të interferojë”, ka thënë Thaçi.

“Kosova ka shënuar progres në vitin 2019, ju takon edhe juve dhe keni një kontribut të madh. Dua të theksoj se viti 2019 ka qenë një vit i një progresi të mirë në të gjitha rrafshet, reforma, zhvillim ekonomik, afrim të të gjitha komuniteteve. Formimi i ushtrisë dhe marrjen e përgjegjësisë nga shteti. Është për t’u vlerësuar organizimi i mirë i zgjedhjeve, tashmë mbetet që të shohim në javën e ardhshme implementimin e vullnetit të qytetarëve nga partitë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Sipas tij, është meritë e gjithë spektrit politik organizimi i zgjedhjeve, e se partitë duhet të lëvizin sipas vullnetit të qytetarëve. “Është meritë e të gjithë spektrit politik. Tashmë partitë politike duhet të lëvizin në përputhshmëri me vullnetin e qytetarëve. Natyrisht s’ka qenë vit krejt i lehtë, por mendoj që ato sfida do të tejkalohen, jemi shtet i ri që po dëshmohemi çdo ditë. Jam i bindur se të bashkuar do të jemi më të fortë, më të suksesshëm dhe më produktivë”, ka thënë ai.