Transmetuar më 28-12-2019, 23:03

Ish-kandidati për deputet nga radhët e NISMËS PËR KOSOVËN, Haxhi Hoti, me anë të një postimi në rrjetet sociale edhe pse ka reaguar dhe është korrigjuar, Lëvizja VETËVENDOSJE e ka çuar çështjen në prokurori.

Pas postimit të bërë sot, ku fillimisht Hoti thoshte se Albin Kurti duhej të ikte nga Kosova ose përndryshe mund të vritej, ai është korrigjuar më pas, duke e quajtur paralajmërimin "gabim teknik".

Reagimi i Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Gjuha e krimit nuk ka vend në politikë

Pasi u sinjalizuam nga mediat për një kërcënim brutal drejtuar kryetarit të Lëvizjes, Albin Kurtit, përfaqësuesi i zyrës ligjore të Lëvizjes, Berat Ganiqi, dorëzoi një kallëzim penal në stacionin policor “Qendër”, në Prishtinë.

Ne nuk e dimë nëse ai kërcënim ka qenë i porositur, gjakftohtë, apo i nxitur nga kultura e urrejtjes ndaj Lëvizjes, e cila është kultivuar për vite me radhë nga subjektet e pushtetit, që janë pasuruar paligjshëm duke varfëruar Kosovën. Këto gjëra duhet t’i zbulojë policia e prokuroria.

Megjithatë, rasti ka rrethana rënduese, për shkak se kërcënuesi është pjesë e listës së kandidatëve për Kuvendin e Republikës, nga një parti e koalicionit PAN, të shquar për keqqeverisje e kapje të shtetit. Përveç subjektit të vet partiak, nga postimet e tij publike në rrjete sociale kuptohet se kërcënuesi është edhe adhurues i madh i presidentit të Republikës.

Shpesh e shohim fenomenin e përzierjes së elementëve me prirje të dhunshme e kriminale me elitat politike, ligjvënëse e ekzekutive. Pikërisht këtë fenomen synon ta luftojë Lëvizja VETËVENDOSJE! Populli i Kosovës nuk dëshiron që kriminelët të jenë në pozita pushteti.

I vlerësojmë faktorët publikë e politikë, si edhe qytetarët që distancohen dhe dënojnë pa ekuivok dhe pa relativizim këtë sjellje të papranueshme. Presim nga policia e prokuroria të veprojnë sipas ligjit.

Kosova e ka vetëm një rrugë përpara, atë të ligjit e të zhvillimit, në luftë pa kompromis kundër krimit, pabarazisë dhe injorancës./NOA.al