Transmetuar më 28-12-2019, 17:11

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, përmes një statusi në Facebook, konfirmoi lajmin se "Mali i Zi miratoi ligjin për zgjedhjen, përdorimin dhe shfaqjen publike të simboleve kombëtare, përmes të cilit i garantohet pakicave kombëtare e drejta dhe liria e zgjedhjes, përdorimit dhe vendosjes publike të simboleve kombëtare, si dhe shënimi i festave kombëtare".

Sipas Bushatit, "miratimi i këtij ligji i jep fund praktikës së kushtëzuar të shfaqjes dhe përdorimit të flamurit dhe simboleve kombëtare".

Ligji, theksoi Ditmir Bushati, – garanton gjithashtu shënimin e festës kombëtare në ato komuna ku shqiptarët përbëjnë 5% te popullsisë.

"Përgëzime partive politike shqiptare në Malin e Zi, të cilët për një kohë të gjatë kanë insistuar në miratimin e këtij ligji. Një sukses i përbashkët që vjen nga qartësia në avancimin e kërkesave të drejta dhe ndërtimi i koalicioneve largpamëse në Malin e Zi. Uroj që ky shembull të shërbejë si precedent për t’i mundësuar shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc përdorimin e simboleve kombëtare dhe arsimimin në gjuhën amtare!", nënvizoi ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati./NOA.al