Transmetuar më 26-12-2019, 21:36

Edmond Zhulali është një nga kompozitorët që e ka të lidhur jetën me muzikën dhe kryesisht me festivalet e RTSH-së.

Këtë vit ai refuzoi të merrte pjesë në Festivalin e RTSH-së për shkak se kishte një parandjenjë për situatën që do krijohej.

I ftuar në “Intervistën e Mbrëmjes” në RTV Ora, Zhulali vuri në dukej se këtë vit në jurinë  e Festivalit nuk kishte kompozitorë shqiptarë.

Ai u shpreh se votimi duhet të ishte bërë në sallë dhe jo në dhoma të fshehura, ku nuk dihet se çfarë është bërë, duke aluduar se ka pasur ndikime dhe manipulime. Jurisë i mungonte një kompozitor shqiptar, i cili duhet të vlerësonte vlerat artistike të këngëve. Edhe ai që ishte, sipas Zhulalit, ishte kompozitor grek.

“Juria ishte me 5 anëtarë. Mungonte kompozitori shqiptar në juri për të vlerësuar këngët. I vetmi kompozitor që ishte këtë vit ishte grek”.

“Ajo që e cenoi vlerën e jurisë ishte që juria nuk votoi hapur në sallë por u fut nëpër sallat e brendshme dhe aty nuk dihet se çfarë është bërë. Këtë vit duke e ditur se çfarë do ndodhë, se kam nuhatjen nuk mora pjesë.”

Dialekti gegë i Kosovës dominon tregun muzikor. Kjo u pa qartë edhe në këngët që morën pjesë në Festivalin e 58 në RTSH.

Lidhur me tekstet e deformuara dhe pa vlera kulturore të këngëve, kompozitori thotë se nuk është problemi te dialekti. Ai mori si shembull këngëtarët kosovarë, por tha se çështja është te vlera që ka teksti dhe mesazhi që përcjell, duke bërë një krahasim me Anglinë dhe SHBA, ku teksti i këngëve nuk vlerësohen nga dialekti.

Problemin, referuar edhe këngës "Me tana" të Elvana Gjatës ai e sheh te brendia e poezisë së këngës.

“Kosova ka ndikim shumë të madh në tregun muzikor. Kjo nuk është negative, por një mënyrë të kënduari që përshtatet shumë me muzikën. Pëlqehet. Nuk është deformim, nëse flasim në gjuhë gegnishte është shumë e bukur. 3/4 e shqiptarëve me gjithë Kosovën janë shumicë. Është si anglishtja, në muzikë të lehtë është gjuha më e përdorur në botë. Problemi është te fjalët, çfarë flet, motivet janë të vjedhura apo origjinale. Nuk jam dakord që thotë Rita Petro në vend "Me tana", "Me të tëra". Nuk ka ndonjë problem. Kënga nuk çalon këtu. Por nëse poezia nuk ka vlera artistike është tjetër. Kontestojmë dialektin e veriut apo brendinë?”, theksoi ai./NOA.al