Transmetuar më 25-12-2019, 10:44

Krishtlindja është kremtuar edhe në qytetin e Lezhës ku qindra besimtarë të krishterë  ju drejtuan mbrëmjen e kaluar katedrales së "Shen Nikollit" për të pritur lindjen e Krishtit. Mesha e shenjtë u udhëhoq nga ipeshkvi i Lezhës Otavio Vitale i cili gjatë fjalës së tij përpara besimtarëve tha se tërmeti i 26 nëntorit zbuloi Shqipërinë e vërtete të varfërisë dhe korrupsionit.

Sipas tij abuzimi me ndërtimet solli kaq viktima, pasi në këtë vend mbizotëron korrupsioni dhe paligjshmëria.

"Është detyra e njeriut veçanërisht e atyre që kanë përgjegjësi publike të kujdesen për të në të gjithë përmasën e tij. Këto fjalë marrin peshe të veçantë veçanërisht pas asaj që ndodhi për shkak të tërmetit që solli vdekje dhe shkatërrim. Një tërmet që ka zbuluar Shqipërinë e vërtete të varfërisë dhe korrupsionit sepse kaq shumë vdekje dhe shkatërrim nuk do të kishte nëse ndërtesat e shembura do të ishin ndërtuar, duke ndjekur parametrat e sigurisë.

Këtu mbizotëron interesi personal, korrupsioni dhe sjellja e paligjshme që rrezikon jetën e njerëzve. Shpresoj që kjo krishtlindje të zgjojë ndërgjegjen e popullit shqiptar dhe mbi të gjitha të kërkojnë falje ato që shkaktojnë këto fatkeqësi sepse janë të korruptuar dhe nuk interesohen për të mirën e njerëzve", tha Vitale./b.l/noa.al/