Transmetuar më 20-12-2019, 23:47

Nën regjinë e Vera Grabockës dhe prezantimin e Alketa Vejsiut, online janë prezantuar për dy netë me radhë në Pallatin e Kongreseve 20 këngët pjesëmarrëse në Festivalin e 58 të Këngës në RTSH.

Në natën finale që do të zhvillohet me 22 dhjetor, këngët do të përzgjidhen nga juria e drejtuar nga dirigjenti Zhani Ciko.

Këngët e këtij edicioni mbajnë vulën e kompozitorëve me emër si; Adi Hila, Darko Dimitrov, Florent Boshnjaku, Gramoz Kozeli, Eugent Bushpepa apo Fifi, që do të vijnë nën interpretimin e Albërie Hadërgjonaj, Valon Shehu, Uendi Mancaku, Aldo Bardhi, Arilena Ara, Tiri Gjoci, Kanita, Kastro Zizo, Eli Fara, Stresi, Genc dhe Nadia Tukiçi, Elvana Gjata, Sara Bajraktari, Robert Berisha, Bojken Lako, Devis Xherahu, Era Rusi, Gena, Renis Gjoka dhe Olta Boka.

Pasi u ngjitën të 20 artistët në skenë në datat 19 dhe 20 dhjetor, në natën finale të 22 dhjetorit do të dalë përfaqësuesi i Shqipërisë në Eurovizion 2020, i cili zhvillohet në Roterdam të Holandës, në maj të vitit 2020.

Elvana Gjata me këngën "Me tana", Arilena që këndoi "Shaj" dhe Era Rusi me "Eja merre" mësohet se janë deri tani këngët më të pëlqyera të publikut. Por edhe kënga e Albërie Hadërgjonaj ka marrë goxha pëlqime, ndërsa në fund të natës finale, do të përcaktohet edhe fituesi i këtij festivali./NOA.al