Transmetuar më 20-12-2019, 20:35

Festivali i 58-të i Këngës nisi mbrëmjen e kaluar dhe zhvillon sot mbrëmjen e dytë, ku edhe do të përcaktohen këngët e finales së madhe.

Regjisorja e njohur Vera Grabocka dhe prezantuesja Alketa Vejsiu, morën përsipër organizimin dhe drejtimin e këtij festivali, për t’i rikthyer shkëlqimin e dikurshëm.

Por megjithatë, do të jetë nata e dytë dhe ajo finale më 22 dhjetor, që do të përcaktojnë edhe fituesin e këtij festivali.

Publiku mbrëmjen e djeshme shijoi 10 këngët e përzgjedhura.

I pari u ngjit në skenën e festivalit Bojken Lako me këngën “Malasen”, më tej Kanita me këngën e titulluar “Ankth”, Devis Xherahu me “Bisedoj me serenadën”, Sara Bajraktari me “Ajër”, Genc dhe Nadia Tukiçi me këngën “Ju flet Tirana”, Kamela Islamaj me këngën “Më ngjyros”, Elvana Gjata me këngën “Me Tana”, Aldo Bardhi me “Melodi”, Renis Gjoka me “Loja” dhe Albërie Hadërgjonaj me “Ku ta gjej dikë ta dua”.

Sot në natën e dytë të Fest ’58 priten 10 këngë të reja. Sipas radhës në skenë do të ngjiten Kastro Ziso me “Asaj”, Tiri Gjoci me “Me gotën bosh”, Olta Boka me “Botë për dy”, Era Rusi me “Eja merre”, Ëendi Mancaku me “Ende”, Robert Berisha me “Ajo nuk është unë”, Gena me “Shqiponja e lirë”, Eli Fara dhe Stresi me “Bohem”, Arilena Ara me “Shaj” dhe Valon Shehu me “Kutia e Pandorës”.

Ashtu si dhe këngët e natës së parë edhe këngët e natës së dytë, si temë kryesore të tyre kanë dashurinë, shoqërinë, jetën e përditshme të njerëzve, por edhe jetën politike.

Në natën e tretë të festivalit do të konkurrojnë vetëm 10 këngë, prej të cilëve juria me ekspertë vendas dhe të huaj do të përzgjedhin edhe këngën fituese të Fest ’58 e cila do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Europian të Këngës, i cili për vitin 2020 mbahet në Roterdam të Holandës.

"Ktheju Tokës” ishte kënga fituese e Fest ’57.  /NOA.al