Transmetuar më 19-12-2019, 17:25

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se një punonjës i saj është gjetur i vdekur në afërsi të Badovcit, afër Prishtinës. Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se punonjësi me inicialet N.Rr, ka punuar si roje pylli dhe “është gjetur i vrarë”.

“Mbrëmë Drejtoria e Inspekcionit është lajmëruar se është gjetur vetura e braktisur/hapur e njërit prej inspektorëve më të vjetër të pyllit të Komunës së Prishtinës N. Rr. në afërsi të Badovcit.

Fatkeqësisht, pas arritjes së policisë është gjetur edhe trupi i pajetë i të ndjerit, i vrarë me armë zjarri, në zonën që e ruante si roje pylli”, ka shkruar Ahmeti, sipas të cilit ky rast edhe njëherë dëshmon rrezikun me të cilin përballen inspektorët e Komunës së Prishtinës, shkruan Rel.

Edhe Policia e Kosovës në raportin e saj 24 orësh ka konfirmuar se të mërkurën në afërsi të Prishtinës një person është gjetur pa shenja jete.

“Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar ku shihet se viktima është qëlluar me armë zjarri. Në vendngjarje kanë dalë njësitë përkatëse dhe prokurori publik”, thuhet në raporton e policisë. Policia nuk ka dhënë më shumë detaje për rastin./b.l/noa.al/