Transmetuar më 14-12-2019, 11:56

Vijon vala e arrestimeve nga policia, e të dyshuarve si përgjegjës për shembjen e godinave në zonën e Durrësit gjatë tërmetit të 26 nëntorit.

Në cilësinë e përgjegjësit për shembjen e vilës vilës katër katëshe në zonën e ish-Kënetës ku humbën jetën 8 anëtarë të familjes Lala, është shpallur në kërkim ndërtuesi, i cili akuzohet për vrasje.

Nga shembja e kësaj godine gjetën vdekjen Amelia Lala 8 vjeç, Sahadete Lala 79 vjeç, Griselda Lala 22 vjeç, Marjeta Lala 31 vjeç, Emilio Lala, Enis Lala 2 vjeç, Dionisa Lala 2 vjeç dhe Ilir Lala, 52 vjeç. I vetmi i mbijetuar i familjes Lala, është 17-vjeçari Ramë Lala.

Ndërkohë mëngjesin e sotëm, policia arrestoi edhe pronarin e hotelit “Mira Mare”, Ruzhdi Xheka. Ai akuzohet se nga dy kate që kishte leje, e ngriti hotelin në gjashtë kate dhe nga shembja e tij gjeti vdekjen balerina dhe baristi i lokalit.

Gjithashtu janë shpallur në kërkim edhe pronarët e “Vila Palma”, Dëshira Qato dhe Arben Qato.

Kjo pasi si pasojë e shembjes së godinës, gjeti vdekjen babai i Dëshirës, Sadik Qato, si dhe u nxorr i gjallë nga rrënojat, djali i saj Klajdi Qato. Hoteli “Vila Palma”, rezultoi me dy kate shtesë, ku mbingarkesa e kolonave çoi në ngjarjen e rëndë.

Lidhur me këto raste kanë nisur hetimet për Dëshira Qato shefe Urbanistike në Kavajë, ish-kryebashkiakun Isa Sakja dhe dhe Dritan Kazazin, të cilët janë në hetim për “Shpërdorim detyre”, lidhur me lejet ndërtimore të dhëna prej tyre.

Arrestimet dhe shoqërimet e nisura qysh prej mbrëmjes së djeshme dhe mëngjesin e sotëm, kanë të bëjnë me dëmet e shkaktuara nga tërmeti dhe personat që mund të kenë përgjegjësi, lidhur me shembjen e godinave.

Ndërkohë janë shoqëruar në polici drejtori i Kavalishensës, Ahmet Doda dhe nëndrejtori Kujtim Hasa.

Shkak për ndalimin e drejtuesve të Kavalishencës është bërë fakti se nga shembja e godinës prej tërmetit, gjeti vdekjen kryekomisari Bajram Hajdarmetaj.

Po ashtu është arrestuar edhe ish-drejtori ALUIZNI aktualisht nëndrejtori i Kadastrës Durrës, Aldo Dakovelli shef sektori në Kadastrën e Durrësit dhe Artemis Malko punonjës terreni.

Zyrtarët e arrestuar, akuzohen për legalizim në kundërshtim me ligjin të objekteve të dëmtuara nga tërmeti. /a.y/noa.al

Përgjegjësi për shembjet nga tërmeti në Durrës, kush janë zyrtarët e arrestuar/ Emrat