Transmetuar më 09-12-2019, 13:30

Një fshat në Rusi ndodhet në alarm për shkak se është “pushtuar” nga arinjtë polarë.

Mbi 50 arinj kanë zbritur në fshat në kërkim të ushqimit, pranë Ryrkaypiy, në Rusinë verilindore.

Zyrtarët e patrullës së arinjve polarë po punojnë për të mbajtur arinjtë larg fshatit dhe shkollave. Arinjtë zakonisht jetojnë në Cape Schmidt, rreth 2 kilometër larg Ryrkaypiy.

Shkrirja e akujve dhe ndryshimet klimatike, i kanë detyruar arinjtë që të dalin në tokë për të kërkuar ushqim.

Mikhail Stishov, koordinatori i projektit të biodiversitetit në Arktik, deklaroi se “Nëse do të kishte mjaftueshëm akull, arinjtë do të shkonin në veri për të gjuajtur për foka”.

Kjo nuk është hera e parë që banorët e këtij fshati përballen me arinjtë polarë, por në këtë periudhë bëhet fjalë për një “pushtim” të vërtetë. /a.y/noa.al