Transmetuar më 06-12-2019, 17:12

Ministri i Jashtëm Gent Cakaj ka reaguar ndaj deklaratave të zyrtarëve serbë se masakra e Reçakut është gënjeshtër.

Me anë të një postimi në Twitter, Cakaj u shpreh se masakra e Reçakut nuk duhet të harrohet kurrë.

Në shkrimin e tij, ministri i dha një mesazh të hapur zyrtarëve serbë.

"J. Goebbels i propagandës së Millosheviçit tani u shndërrua në një kampion të mohimit, nënvleftësimit dhe trivializimit të krimeve të luftës. Skandaloze! Aktorët ndërkombëtarë duhet të dënojnë veprime të tilla përbuzëse dhe shtrembëruese të së vërtetës që fyejnë viktimat dhe përpjekjet e pajtimit. Masakra e Reçakut nuk do të harrohet kurrë!", shkruajti Gent Cakaj.

Reagimet për masakrën e Reçakut erdhën pas dënimit me 2 vjet burg nga Gjykata e Prishtinës ndaj ish-ministrit serb të qeverisë së Kosovës, Ivan Todosijeviq, mbi përdorimin e gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve, të cilit i doli në mbështetje edhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, i cili e quajti masakrën një fabrikim të shqiptarëve.