Transmetuar më 06-12-2019, 15:53

Igli Memaj 31 vjeç dhe Gentjan Dautaj 42 vjeç janë dy shqiptarët e arrestuar në Itali në lidhje me atentatin ndaj Ines Hajrullës, ngjarje e ndodhur në muajin maj në lagjen "Uji i Ftohtë" në Vlorë ku mbeti i plagosur një kalimtar.

Gentjan Dautaj mësohet se përdorte në Itali dhe identitetin Gentjan Zoto. Autoritetet policore italiane i kanë identifikuar falë bashkëpunimit me autoritetet policore shqiptare që kishin sinjalizuar udhëtimin  e tyre së Romë në bordin e një automjeti tip "Mercedes Benz".

Pas gjurmimit në Romë, në zonën ku jetonin, në një vilë në kryeqytetin italian, dy shqiptarët janë arrestuar, pasi Gjykata e Vlorës, ka dhënë për ta masën e sigurisë “arrest me burg” për “vrasje e mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Igli Memaj ka lindur më 19.09.1988, ndërsa  Gentjan Dautaj i lindur më 15.10.1977. Dautaj mësohet se përdorte disa identitete të rreme në shtetin fqinj. Ndaj tij edhe Prokuroria e Firenzes kishte lëshuar urdhër-arrest për akuzën e zhvatjes të dhunshme.

Dje, po për atentatin ndaj Hajrullës u arrestua edhe një tjetër shqiptar, 36 vjeç. Tashmë janë arrestuar 7 persona për atentatin ndaj Hajrullës, djali i një biznesmeni të njohur në Vlorë. Në muajin nëntor, 6 muaj pas atentatit në kuadër të operacionit “Gjurmimi” u kapën 4 të dyshuar.

Në pranga në atë kohë u vunë Daut Elmazi, banues në Vlorë, Albano Goxhaj, banues në Fier, Dejvison Serjani, banues në Tiranë dhe Ardjan Ahmeti, banues në Tiranë.

Sulmi me armë u shënua me 10 maj të këtij viti një lokal, pranë një kompleksi që njihet në pronësi të Edison Harizajt, i ashtuquajtur "kumbari" ose "faqedjeguri", i vrarë në Durrës.

Inez Hajrulla edhe pse në moshë të re konsiderohet një personazh i grupeve kriminale në Vlorë. Në vitin 2017, ai mbeti i plagosur rëndë si pasojë e një atentati me eksploziv në makinë./b.l/noa.al/