Transmetuar më 06-12-2019, 12:05

Ish-kryeministri Sali Berisha i ka quajtur “vrasje shteterore”, viktimat e tërmetit në Thumanë e disa edhe në Durrës, duke akuzuar qeverinë, që nuk mori masa për nxjerrjen forcërisht të tyre nga shtëpitë që ishin të pabanueshme që pas tërmetit të 21 shttaorit. Me një postim ne Facebook, Berisha shkruan se në rast se autoritetet zyrtare që inspektuan këto pallate në Thumanë dhe Durrës nuk do të nënvleftësonin dëmtimin në strukturë, të shkaktuar nga tërmeti, banorët do të ishin gjallë sot.

“Ato janë vrasje shtetërore, pa dashje apo pa qëllim dhe duhet të trajtohen të tilla. Tërmeti i 26 nëntorit u parapri nga një tërmet prej 5,6 të shkallës richter me qënder në të njëjtën zonë dhe thellësi. Tërmeti i 21 shtatorit u shoqërua me dëmtim të shkallëve të ndryshme të 1528 objekteve, shkatërroi plotësisht 50 banesa dhe dëmtoi dukshëm 160 pallate etj etj në Durrës, Krujë dhe Tiranë. Ndër ndërtesat e dëmtuara në mënyrë serioze dhe që ishin raportuar si të pabanueshme nga banorët e tyre ishin edhe dy pallatet që i moren jetën 22 banorëve nën rrënojat e tyre por me siguri edhe të pallateve dhe banesave në Durrës”, shkruan Berisha.

Ai shton se në rast se autoritetet zyrtare që inspektuan këto pallate në Thumanë dhe Durrës nuk do të nenvleftësonin dëmtimin në strukturë, të shkaktuar nga tërmeti, banorët me detyrim do të ishin zhvendosur në vendsterhime të tjera dhe do të ishin gjallë sot. “Pra ata de fakto vërtet vdiqën nga tërmeti i 26 nëntorit por kjo ishte një vdekje e paralajmëruar për sa kohë nuk u larguan forcërisht nga pallatet e tyre të bëra të pabanueshme më 21 shtator.

Për rrjedhojë kemi të bëjmë me një vrasje shteterore, natyrisht jo e qëllimte por detyrimi i shtetit ndaj familjeve të këtyre viktimave ka rregulla të tjera dhe është dëmshpërblim i plotë sikundër përgjegjësia e atyre që u treguan indiferent në detyrë në rastin konkret është personale dhe direkte”, tha ai.

Sipas Berishës, “Pikërisht për të fshehur gjurmët, provat e këtij krimi shtetëror Edvin Mafia emëroi Çuçin e tij, ministrin e Familjes shef të gjendjes së jashtëzakonshme një rast unik në historinë e botës që një ministër bujqësie emërohet në një detyrë të tillë. Ky i fundit, në misionin e tij familjar, në një akt të pastër kriminal orët e para të ditës së parë të punës shembi në kundërshtim flagrant me ligjin dy pallatet prova të gjalla të krimit shtetëror në Thumanë dhe pallatin nën hetim në Durrës etj etj. Ndërkohë shpresat për një hetim të ndershëm me Edvinin, krye kreu i meduzës, janë zero”.

Në fund ish- kryeminsitri Berisha ka bërë thirrje për një hetim të ndershëm e  të pavarur ndërkombëtar “të këtij krimi të shëmtuar që kushtoi dhjetra jetë dhe që rëndon e do rëndojë në ndërgjegjen e çdo shqitari”./b.l/noa.al/