Transmetuar më 06-12-2019, 07:46

Në mbledhjen e mëngjesit të sotëm të qeverisë, lidhur me situatën e krijuar pas tërmetit, Kryeministri Edi Rama deklaroi se pas pastrimit të rrënojave, duhet nisur me rindërtimin dhe për këtë duhen punëtorë.

Sipas tij, procesi i ndërtimit kërkon fuqi të madhe punëtore dhe se nga eksperienca dhe çfarë ka parë nga kompanitë, ka probleme në fuqitë punëtore në ndërtim.

“Duhet përfituar që të kërkojmë fuqi punëtore të huaj, në rast se del nevoja për fuqi punëtore. Duhen mijëra njerëz që do të përfshihen në punë. Në datën 19 dhjetor duhet të kalojë paketa për aksesin në fuqi punëtore, që kompanitë të marrin punëtorë nga jashtë. Do të nisim punën në Laç për ti hapur rrugën këtij procesi. Ia kemi kërkuar që të nisë puna kompanisë turke ku Presidenti turk ka dhënë pëlqimin për të ndërtuar 500 apartamente. Do vijojmë ndërhyrjen dhe në Durrës, në vijën bregdetare. Tirana në zonën e “5 Majit” duhet rishikuar në funksion të situatës një plan i kahershëm që kemi pasur. Pallatet e vjetra në Kombinat duhet të hidhen në tokë, dhe ato pallatet e vjetra subjektive. Aty kemi një pol të ri për të ndërtuar, tek "5 Maji’, apo dhe te ish-Uzina e Auto-traktorëve”, u shpreh Rama.

Ai bëri me dije se janë 4949 banesa të dëmtuar në Durrës në total dhe 6121 në Tiranë, ku mes tyre 1171 në Durrës të pabanuara dhe 660 në Tiranë.

“Në Durrës duhet të mendojmë mirë pasi nuk ka apartamente, janë të shitura. Duhet të mendojmë që t’i spostojmë nga hotelet në janar në shtëpi me qira”, tha Rama.

Lidhur me situatën e të pastrehëve, ai tha se 100% të qirasë për një vit do të paguhet për ata që nuk kanë strehë.

Në vijim shtoi se për ata që janë në fshat dhe duan të ndërtojnë vetë shtëpitë do të financohen.

“Mesatarisht do të marrin 20 milionë lekë të vjetra, pasi fitojnë kohë dhe nuk rrinë të presin të vijë dikush, por me një supervizionim që të garantojë të gjithë parametrat”, deklaroi kreu i qeverisë. /a.y/noa.al/