Transmetuar më 05-12-2019, 20:26

Kryetari i Partisë Demokratike ka ripërsëritur thirrjen ndaj Qeverisë për të sistemuar qytetarët që flenë në makina dhe çadra, pas tërmetit të 26 nëntorit.

Nga Durrësi, ku vizitoi disa prej zonave të prekura, Basha thotë se qytetarët ndihen të pasigurtë pasi nuk është bërë ende inspektimi i pallateve.

“Në Durrës banorët kanë ditë të tëra që flenë me fëmijët në çadra ose makina sepse vlerësimi i banesave nuk ka përfunduar ende dhe ndjehen të  pasigurt të kthehen në apartamente.

Ata u shprehën të shqetësuar se askush nuk është interesuar dhe se kur kanë kerkuar sqarime në bashki, nuk kanë gjetur përgjigje. Ankesa patën po kështu për mungesën e ndihmave në këto ditë të vështira për ta.

Qeverisja lokale dhe qendrore e ka për detyrë tu vijë në ndihmë dhe tu përgjigjet qytetarëve në çdo kohë, dhe tani më shumë se kurrë për  shkak të traumës që kanë kaluar nga tërmeti.

Vlerësimi i pallateve dhe shtëpive është i domosdoshëm dhe duhet të kryhet pa vonesa. Për këtë arsye qeveria duhet të angazhojë pa humbur kohë inxhinierët që janë të gatshëm të kontribojnë. Organizimi dhe autorizimi shtetëror i një kontigjenti prej 500 inxhinierësh të gatshëm të angazhohen, do të mundësonte përfundimin pa sorollatje të vlerësimit të çdo objekti të dëmtuar nga tërmeti, në mënyrë që qytetarëve t’u jepet qartësi dhe siguri”, shkruan Basha në Facebook. /k.k/noa.al/