Transmetuar më 05-12-2019, 17:01

Në Fletoren Zyrtare sapo është publikuar Vendimi për pezullimin nga detyra të një anëtari të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, konkretisht të Arben Malaj.

Ish-ministri i Financave gjatë qeverisjes së kaluar socialiste, prej kohësh është shfaqur si kritik, teksa ka shtuar gjatë muajve të fundit kritikat ndaj qeverisjes, madje edhe gjatë ditëve të tërmetit ai kritikoi mënyrën sesi po menaxhohet kriza.

Në reagimin e tij, Arben Malaj shkroi në profilin e tij Facebook se, "sapo më njoftuan se qeveria ka vendosur pezullimin tim si anëtarë i Këshillit Mbikqyrës së Bankës së Shqipërisë".

"Tani do ta kem më të lehtë të përballem publikisht dhe ligjërisht me shpifsit dhe abuzuesit me pushtetin. Falenderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur dhe inspiruar që vendit tim ta shërbej me dashuri, profesionalizëm dhe imtegritet. Sfidat më të paaftet dhe shpifsit i kam fituar përherë moralisht dhe ligjërisht. Asnjë karrike ministrore apo partiake nuk më ka penguar në angazhimet e mia profesionale, shkencore dhe politike. Ju falenderoj!", shkroi në reagimin e tij Arban Malaj.

Propozimi për shkarkimin zyrtar të tij nga BSH, ndonëse kishte kohë që ishte përfolur një gjë e tillë, ka ardhur nga kryeministri i vendit, Edi Rama.

Në vendim thuhet:

“Në mbështetje  të  nenit  100  të  Kushtetutës  dhe të pikës 1,  të  nenit  47,  të  ligjit nr. 8269,  datë 23.12.1997,  “Për Bankën  e  Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave VENDOSI:

Arben Malaj, anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, pezullohet nga kjo detyrë.

Propozimin Kuvendit të   Republikës   së Shqipërisë për shkarkimin  e z. Arben  Malaj  nga detyra  e  anëtarit  të  Këshillit  Mbikëqyrës  të  Bankës së Shqipërisë. Ky vendim hyn në fuqi  menjëherë”./NOA.al