Transmetuar më 05-12-2019, 15:08

Kryedemokrati Lulzim Basha u ndal sot në Lezhë për të parë nga afër pasojat e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit. “Sot në Lezhë takova banorë që janë në dilemë të rikthehen apo jo në banesat e tyre të dëmtuara sepse ende nuk është bërë vlerësimi përfundimtar nëse janë të banueshme. Është shumë e rëndësishme të bëhet gjithçka për të zbutur tronditjen e madhe që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit dhe të rikuperojmë pasojat që la pas në mijëra banesa të dëmtuara dhe të shkatërruara”, thotë Basha.

Ai shton se ka nevojë urgjente që të shtohen grupet e vlerësimit dhe se edhe pse kanë kaluar 10 ditë nga tërmeti, ende në shumë banesa nuk është bërë vlerësimi duke lënë banorët në pasiguri.

Sipas tij, realiteti nuk ndryshon duke e mohuar, por duke u përballur me të dhe duke dhënë zgjidhje dhe se zgjidhja fillon që nga ndihmat emergjente për të cilat banorët kanë nevojë, e deri te certifikimi zyrtar i banesave.

“Vëmendja në këto ditë të vështira për vendin, duhet të shkojë te profesionistët e vërtetë, sepse fatmirësisht vendi ynë ka shumë inxhinierë të zotë, por ka munguar vullneti për ti vënë në punë.  Nuk ka kohë për të humbur! Është e pakuptueshme mosangazhimi i shumë inxhinierëve që kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar vullnetarisht”, deklaron kreu i opozitës.

Ai thotë se duhet urgjentisht të alokohen dhe shpërndahen fonde për familjet në zonat rurale në mënyrë që të nisin riparimin dhe rindërtimin e shtëpive të dëmtuara.

Në këtë linjë shtoi se qindra milionat e ndara për oligarkët dhe që nuk kanë asnjë impakt në jetën e qytetarëve duhet tu kalojnë njerëzve të mbetur pa strehë, ndërsa moti është ftohur, dhe pritet të intensifikohen reshjet. /a.y/noa.al/