Transmetuar më 05-12-2019, 14:56

“Jemi në një situatë të jashtëzakonshme! Kur ndodhin fatkeqësi të këtyre përmasave ju mbyllet goja gjithë atyre që s’kanë çfarë të thonë. Lloj lloj protagonistësh dalin e dëshpërojnë miletin se përveç halleve natyrore nuk është normale që të nedhe këtë hall të madh, dalin sharlatanë që shfaqen si sizmiologe, inxhinierë, konstruktorëdhe prokurorë”.

Kështu tha Kryeministri Edi Rama në seancën e sotme parlamentare duke folur për tërmetin, teksa shtoi në seancë se dëgjoi rastin që kërkonte matrapik dhe që ishte shumë i shqetësuar që në vrapin e tij për t’iu ardhur në ndihmë njerëve, nuk kishte matrapik.

Këtu ai sqaroi se nuk përdoret matrapik kur në rrënoja ku ka ende jetë.

Ai tha se në buxhetin e vitit 2020 i cili pritet të miratohet në seancën e sotme, janë hequr të gjitha shpezimet “për makina dhe vitrina” dhe se të gjitha ato fonde i kanë kaluar fondit të rindërtimit.

“Buxheti angazhon një fond afro 20 miliardë prej të cilave 13 miliardë janë lekë si transfertë nga të ardhruat buxhetore dhe 7 miliardë janë të ardhura nga donacione të ndrshme, por gjithë kjo pako e parë është vetëm një alokim fillestar. Dëgjova nevojat për çizme e kapele, por edhe jehonat se shteti paska mbetur pa lekë dhe nuk ka kapacitet të përballojë këtë situatë, prandaj ne po shtrimë dorën botës. Kjo është e pavërtetë! Ne do ta programojmë të gjithë procesin, sikur të mos marrim asnjë lekë nga bota dhe do ta bëjmë”, u shpreh Rama.

Ai sqaroi se kjo që bëhet me këtë buxhet është fillimi i këtij programi, ndaj nënvizoi se “sikur asnjë kokërr leku të mos vijë nga bota ne do e përballojmë”.

Ndërsa zërat në media i cilësoi si “brokçulla lartë dhe poshtë në çdo kabinë dhe tendë mediatike”.

Rama deklaroi se programi i rindërtimit do të jetë një fond buxhetor më vete, brenda fondit total dhe se nuk do të ndalohen shërbimet për të financuar rindërtimin.

Ai tha se do të ndërtohet një lagje e re në Durrës, një në Laç dhe tre në Tiranë. Për Tiranën tha se do të ndërtohet një lagje te “5 Maji”, një në Kombinat dhe një në ish-uzinën autotraktori./a.y/noa.al/