Transmetuar më 05-12-2019, 14:23

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla apeloi deputetët e opozitës në sallë që të mos bëjnë atë që e quajti, vaji i korbit në ditë zie. Ndërsa bëri një bilanc të dëmeve e falënderoi ekipët e kërkim shpëtimit për solidaritetin ndaj Shqipërisë, Balla kërkoi reflektimin e opozitës për të qënë bashkë në përballimin e kësaj situate.

“I them kolegut të ri në Shqipëri nuk bëhet korbi në ditë zie, as vaji i korbit. Shqipëria prej 26 nëntorit po kalon një nga momentet më të vështira, më të hidhura. Tërmeti i tmerrshëm që goditi Shqipërinë e që u shoqërua me një bilanc tragjik, përbën një sfidë që shkon përtej mundësive të qeverisë sonë, e të kombit tonë. Ju dëgjova me vëmendje, ndonjë për efekt të karriges a trashëguar fjalimin e opozitës së vjetër.

Kjo është një seancë solemne me vëmendje për ata që nuk kanë shtëpi që kanë humbur të afërmit, e ky kuvend mbështet të gjitha aktet që bëri qeveria. Nuk e kuptoj të marrësh fjalën e të jesh kundër dhurimit të banesave të atyre që mbetën pa banesa. Nuk e kuptoj dhe besoj se do reflektoni që ne t’u garantojmë pension të posaçëm atyre që mbijetuan por humbën familjare. Por do ta bëjmë me aktin e qeverisë që sjell sot këtu”, u shpreh Balla.

Më tej ai theksoi se buxheti ndryshon duke krijuar një kapitull të veçantë për rindërtimin pa prekur pjesën tjetër që lidhen me jetën ekonomike në çdo cep të vendit. “Mjaft më me këngët e Albana Vokshit që gjoja PPP.. s’ka PPP fare këtu, ju dëgjova me kujdes, këtu flitet për cështje konkrete, t’u japësh shtëpi atyre që janë pa shtëpi.

Dhe sa për PPP e kemi bërë me bindjen për t’i shërbyer njerëzve. Kush ka ankesa të shkojë t’i bëjë në prokurori, së shpejti ngrihet prokuroria speciale. Është koha të reflektojmë dhe thirrja e kryeministrit vlen edhe për ju për të qenë bashkë siç e do zakoni i shqiptarit” përfundoi Balla.