Transmetuar më 05-12-2019, 12:30

Mesditën e sotme në Presidencë, u hodh shorti për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi që do të funksionojë përgjatë vitit 2020.

Nga hedhja e shortit, dolën emrat e gjyqtareve të Gjykatës Kushtetuese: Fiona Papajorgji, Vitore Tusha dhe anëtare zëvendësuese Marsida Xhaferllari.

Ndërsa si kryetar u zgjodha automatikisht Ardian Dvorani, i cili nuk kishte kandidat tjetër përballë nga Gjykata e Lartë.

Më tej u hodh shorti për përzgjedhjen e emrave nga Prokuroria e Përgjithshme: Arta Marku dhe anëtar zëvendësues Bilbil Mete.

Sakaq në radhët e gjyqtarëve të gjykatave të Apelit, u përzgjodhën emrat: Miranda Adoni, Saida Dollani dhe anëtar zëvendësues, Nazmi Troka.

Ndërsa nga zyrat e Prokurorisë së Gjykatës së Apelit u përzgjodhën: Ludovik Dodaj, Fatjona Memçaj dhe anëtar zëvendësues Nezir Gjoka.

Si përfaqësues i Gjykatave Administrative u zgjodh: Arjan Qafa dhe anëtar zëvendësues Marjana Velçani (Idrizi).

Më herët Presidenti ka bërë me dije do ta ndjekë me shumë rigorozitet gjithë veprimtarinë e KED, për të mos lejuar më asnjë devijim nga parimet dhe dispozitat kushtetuese dhe të ligjit për të mbrojtur integritetin e mëtejshëm të gjithë procesit për ngritjen dhe funksionimit e plotë të Gjykatës Kushtetuese.

Në mes të muajit nëntor, kreu i shtetit dorëzoi kallëzimin penal ndaj kreut ekzistues të këtij institucioni, Ardian Dvorani, të cilin e akuzon për “shpërdorim detyre” dhe “përvetësim titulli apo detyrës shtetërore”.

Meta e akuzon Dvoranin se ka bërë disa shkelje të rënda, të cilat cenuan legjitimitetin e përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese. Gjithçka lidhur me ngërçin në Gjykatën Kushtetuese, pasi për të njëjtin vend Parlamenti votoi të propozuarën e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Arta Vorpsin, ndërsa Presidenti dekretoi Marsida Xhaferllarin.

Presidenti e bën Dvoranin si përgjegjës për situatën në Gjykatën Kushtetuese. Meta e akuzon Dvoranin se i ka dërguar Presidentit dy herë qëllimisht në të njëjtën ditë listat e kandidatëve për dy vende vakante, gjatë përzgjedhjes së anëtarëve të Kushtetueses. /a.y/noa.al/