Transmetuar më 05-12-2019, 11:57

E prekur dhe e emocionuar ka folur sot në foltoren e Kuvendit deputetja e opozitës së re, Edlira Hyseni e cila nuk i ka fshehur dot emocionet teksa përmendi tërmetin e datës 26 nëntor, i cili shkaktoi tragjedi për 51 familje që humbën të dashurit e tyre dhe lanë mijëra të tjerë të pastrehë.

Me zërin që i dridhej e lot në sy, Hyseni tha se mëngjesin e 26 nëntorit, nuk kishte ndarje politike, por të gjithë ishin në emergjencën për t’u kujdesur për jetën.

“Isha përgatitur të flisja për buxhetin por jemi në një situatë ndryshe nga çfarë kemi qenë. Durrësi, Thumana dhe vendet përreth. Unë jam prind, jam nënë dhe në këtë situatë patëm emergjencën të kujdeseshim për jetën. Në katër të mëngjesit nuk kishte ndarje politike. Njerëzit kanë humbur shumë në të gjitha drejtimet dhe sot Durrësi ka nevojë të rigjejë besimin.

Durrësi ka nevojë për një shtet për një qeveri që do t’i përgjigjet. Durrësi ka nevojë për dashuri. Unë nuk dua të besoj që do preken ato lekë për personat e prekur nga tërmeti. Durrësi ka nevojë edhe për të gjetur drejtësi por prioritet është rikthimi në normalitet. Shkollat në Durrës janë të dëmtuara. Prindërit kanë frikë të rikthejnë fëmijët në shkollë. Kanë rënë pallate që janë ndërtuar në 10-vjeçarin e fundit. Kemi nevojë të besojmë tek qeveria” u shpreh Hyseni./b.l/noa.al/