Transmetuar më 05-12-2019, 11:43

Kryeministri i vendit Edi Rama i shoqëruar edhe nga Komisioneri i BE Janez Lenarčič është duke zhvilluar një takim me banorët në Durrës të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit, ku u regjistruan 51 viktima dhe qindra të tjerë të plagosur.

Duke parë nga afër pika të goditura prej tërmetit, banorët e kanë njohur Ramën me shqetësimin e tyre lidhur me banesat të cilat janë dëmtuar dhe ata kanë mbetur në qiell të hapur.

Nga ana e tij kryeministri Rama i ka këshilluar banorët që të strehohen edhe për pak kohë tek të afërmit apo çadra derisa gjithçka të verifikohet nga inspektorët, por e vetmja gjë që duhet të bëjnë është pak durim, pasi sipas tij gjithçka do të zgjidhet.

"Ju lutem duhet të tregoheni të durueshëm sepse gjithçka do të zgjidhet. Vazhdoni të gjeni zgjidhje duke u strehuar edhe për pak kohë tek të afërmit tuaj ose në çadrat e ngritura pasi çdo gjë do zgjidhet me rradhë. Pra durim ashtu siç keni bërë me  fëmijët që i keni lindur një nga një, jo të gjithë njëherësh. Me rradhë", u shpreh Rama

Më pas ai ka vizituar edhe shkollën “Neim Babameto” në Durrës e cila dhe kjo ka pësuar dëme për të cilën Rama u shpreh se kjo shkollë do të rindërtohet nga e para, pasi rikonstruksioni i saj nuk vlen në këto momente.

Biseda me qytetaren

Qytetarja: Kemi shkuar në bashki dhe kemi kërkuar që të na shohin shtëpinë pasi u rrezikohet shtëpia. Rama: Ju rrini rehat…Do vinë t’ua shohin shtëpinë.

Qytetarja: S’mund të presim se u rrezikohet banesa dhe të tjerëve. Kemi punuar 25 vite për atë shtëpi. Eja shiheni vetë. Rama: S’jam ekspert. Po ta kisha unë fajin e zgjidhnim kollaj. Iksha unë dhe mbaronte puna. Sa fëmijë keni?

Qytetarja: 2 fëmijë

Rama: I keni bërë njëherësh??

Qytetarja: Jo një nga një Rama: Atëherë prisni! Ku jeni fjet mbrëmë?

Qytetarja: Tek kunati./b.l/noa.al/