Transmetuar më 05-12-2019, 11:28

Me një ngushëllim për familjet që humbën të afërmit e tyre nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntor, dhe urim për shërim sa më të shpejtë të plagosurve, deputetja Rudina Hajdari nuk kurse kritikat në adresë të qeverisë për mënyrën e menaxhimit të situatës.

“Dua t’i uroj shërim të shpejtë të lënduarëve. Ata janë në zemrat tona në çdo moment, shpreh mirënjohje për çdo vullnetar që ofroi ndihmë, mjekët, infermierët. U tregua një ndjenjë e pashembull solidariteti e kjo nuk është pak. Mirënjohje për ekipet e emergjencës, Kosovës e vendeve fqinje.

Falënderoj edhe mediat e gazetarët e çdo kush që u bashkua. Falenderoj çdo donator, shqiptar brenda e jashtë vendit. Nuk ka vlerësim më të lartë që ne treguam, një model frymëzimi për të gjithë. Kjo ndihmë nga aleatët nuk ishte për elitën po për shqiptarët” -tha Hajdari.

Më tej ajo vuri theksin në rishikimin e buxhetit të vitit 2020. “Buxheti duhet të rishikohet. Inspektimi i ndërtesave të zbatohet e mos lejohet shembja pa u bërë hetimi i plotë për çdo ndërtesë. Rindërtimi të nisë sa më shpejt, që të fillojmë shërimin e kësaj plage shoqërore. Duhen marrë masat për plotësimin e legjislacionit.

Pasojat nuk përmbyllen në një ditë, ajo që mund të bëjmë është të ndihmojmë cdo kënd që është i prekur. Sot ka ende nevojë për ushqime, strehim, pavarësisht kontributeve, ndihma nuk ka ardhur në shërbim të barabartë për të prekurit. Ka ende kërkesa për strehim. I kërkojmë qeverisë të vë çdo kënd në dispozicion.

Shembja është një akt kriminal, përbën provë materiale për hetime penale. Kjo situatë s’mund të shkojë pa mbajtur përgjegjësi. Qeveria nuk mund të anashkalojë këtë transparencë këtë herë. Nuk ka më kohë për fjalë por vetëm për vepra.’ u shpreh Hajdari.