Transmetuar më 05-12-2019, 10:32

“Dhjetëra familje me fëmijë të vegjël në Rrëzë të Krujës, kanë mbetur krejt të vetëm në përballimin e pasojave që u la tërmeti i javës së kaluar. Për fat të mirë në këtë fshat nuk pati asnjë viktimë, por pothuajse të gjitha shtëpitë janë të pabanueshme”.

Kështu shkruan kryedemokrati Lulzim Basha, i cili publikon disa fotografi nga banorët e prekur nga tërmeti, teksa thotë se asnjë masë nuk është marrë për ta dhe se asnjë ndihmë dhe asnjë çadër apo ushqim, nuk u ka ardhur nga shteti.

Ai thotë se duhen hapa konkretë dhe zgjidhje emergjente sepse gjendja e tyre po rëndohet edhe nga moti i ftohtë.

“Pa humbur kohë 150 milionë dollarët që janë ndarë për 10 oligarkë duhet të kalojnë për banorët e dëmtuar nga tërmeti që sot janë në qiell të hapur.

Qeveria duhet të nisë lëvrimin e fondeve për tu ardhur në ndihmë banorëve në zonat rurale për të cilët është e pamundur zhvendosja, në mënyrë që të nisin riparimin apo rindërtimin e shtëpive të shkatërruara”, thotë Lulzim Basha. /a.y/noa.al/