Transmetuar më 05-12-2019, 10:20

Parlamenti ka nisur seancën e sotme me një minutë heshtje për nder të 51 viktimave nga tërmeti i 26 nëntorit. “Në kujtim dhe nderim të 51 viktimave të tërmetit të 26 nëntorit iu ftoj të mbani një minutë heshtje. U prehshin në paqe”, tha Ruçi.

Më tej kryetari i Kuvendit u shpreh se ka ardhur koha për një vetting të thellë për të vlerësuar aftësitë dhe lejet për të ndërtuar. E ndërsa i bëri apel opozitës jashtë parlamentare që të bashkohen përballë kësaj fatkeqësie, ai tha se u ka kërkuar të gjithë homologëve të tij europiane, por edhe nga SHBA deri në Japoni mbështetje financiare për të rindërtuar zonat e prekura nga tërmeti.

“Do të vlerësoja përgjegjësinë, masat dhe inpenjimin e qeverisë si dhe për parapërgatitjet dhe përgatitjet për t’u dhënë zgjidhje problemeve. Unë do të falenderoja të gjitha palët, përfshirë edhe opozitën parlamentare dhe jo parlamentare që dhanë shenjat duke vendosur para interesat e qytetarëve. Të vijohet me një bashkëpunim të plotë politik. U bëj thirrje palëve që të ndjemë apelin e familjeve të viktimave, të lënduarve dhe atyre që mbetën pa strehë dhe të bashkëpunojmë për t’u lehtësuar dhimbjen atyre”, u shpreh Ruçi.

Sipas tij, “26 nëntori duhet të na zgjojë si dicka që nuk e kemi bërë mirë. Legjislacioni mbi ndërtimet, ujërat, fatkeqësitë natyrore nuk është e përsosur. Mbi mjaft cështje kemi mjaft probleme. Instrumetet që përdoren për të zbatuar ligjet që kemi miratuar. Tërmeti na vërtetoi se kemi nevojë për një vetting të thellë për të vlerësuar aftësitë dhe lejet për të ndërtuar”.

Kryuetari i Kuvendit vijoi duke thënë se “Verifikimi nuk është punë e lehtë, pasi kërkon kohë, por unë mendoj se duhet të nisim të mendojmë për këto gjëra për të marrë masa sa më shpejt. Kuvendi duhet të marrë detyrën për rishikimin e ligjeve, të thërrasin ekspertët tanë dhe nga bota. Të rrisim shkallën e kapacitetit mbrojtës ndaj fatkeqësive natyrore.

Ju informoj se kryetar i Kuvendit u kam shkruar të gjithë kryetarëve të parlamenteve europianë dhe Senatit të SHBA, nga Kanadaja në Japoni për ndihmën bujare dhe për t’u kërkuar mbështetje financiare për zonat e prekura nga tërmeti. Jam i bindur se mbështetja nuk do të mungojë”./b.l/noa.al/