Transmetuar më 05-12-2019, 09:55

Në vijim të operacionit të koduar “Gjurmimi” në Vlorë dhe në Itali, janë arrestur tre persona, dy në shtetin fqinj dhe tre në qytetin bregdetar, të akuzuar për ngjarjen e ndodhur më 10 maj, në lagjen “Ujë i Ftohtë”, ku persona të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri në drejtim të një lokali dhe si pasojë mbeti i plagosur 63-vjeçari Dajko Cenodemaj, teksa shënjestra ishte Inez Hajrulla.

Në këtë kuadër gjatë orëve të fundit ka vijuar operacioni policor i koduar “Gjurmimi”, në Vlorë dhe në Itali.

Në Vlorë, është bërë e mundur kapja dhe ndalimi i Xheladin Merko, 36 vjeç, lindur e banues në Vlorë, për veprat penale “Moskallëzim krimi” dhe “Përkrahja e autorit të krimit” .

Operacioni ka vijuar në Itali, ku si rezultat i shkëmbimit të informacioneve mes Interpol Tirana dhe Interpol Roma, bashkëpunimit të shkëlqyer mes Zyrave Ndërlidhëse të Policisë shqiptare në Bari e Romë në Itali dhe të Policisë italiane në Tiranë, me angazhimin e Skuadra Mobile në Romë është bërë e mundur kapja e dy personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, në afërsi të Romës, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë dhe konkretisht I. M., 31 vjeç dhe G. D. (Z.), 42 vjeç, të dy banues në Vlorë;

Gjithashtu është bërë shpallja në kërkim e shtetasit F. H., dhe vijon puna për kapjen e tij.

Ndaj të dyshuarve I. M., G. D. dhe F. H., Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese” e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Në lidhje me këtë ngjarje, më datë 14 nëntor janë arrestuar edhe katër persona, ndërsa një tjetër është proceduar në gjendje të lirë, të akuzuar për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim, “Armëmbajtja pa leje” dhe në ngarkim të shtetasit Xh. M., për veprat penale “Moskallëzim krimi” dhe “Përkrahja e autorit të krimit” .

Në mes të muajit nëntor u vunë në pranga Daut Elmazaj, 25 vjeç, banues në Vlorë; Albano Goxhaj, 24 vjeç, banues në Fier; Devisjon Serjani, 28 vjeç, banues në Tiranë dhe Ardjan Ahmeti, 26 vjeç, banues në Tiranë.

Personi i cili mendohet se ishte shënjestra e të shtënave me armë zjarri në zonën e Lungomares në Vlorë, është 27-vjeçari Inez Hajrulla.

Gjithçka pasi mes dy mjeteve u shkëmbye zjarr, duke bërë që nga të shtënat të mbetet i plagosur 58-vjeçari Dajko Cenodemaj, i cili ishte duke pirë kafe në një lokal aty pranë.

Pas të shtënave autorët e përplasjes me armë u larguan me mjetet e tyre në rrugicat e pallateve të zonës. Ndërkohë pak pas ngjarjes policia gjeti një makinë tip Land Rover të djegur në zonën e Babicës, e cila mendohet të jetë përdorur në një prej dy grupeve.

Po ashtu në zonën e Bunavisë u gjet një makinë tjetër e cila mendohet se i përket grupit tjetër.

Inez Hajrulla i ka shpëtuar edhe një atentati në nëntor të vitit 2017, kur makina me të cilën udhëtonte u hodh në erë. Kjo bëri që si pasojë e dëmtimeve të marra, i riu të humbë njërën këmbë. /a.y/noa.al/

Atentati ndaj Inez Hajurlla në Lungomare, arrestohen katër persona/ Emrat